Bunjaku-Rexhepi: VV nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë, këtë e bëjnë për marketing

Bunjaku-Rexhepi: VV nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë, këtë e bëjnë për marketing

1 muaj më parë

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se duhet t’i besojmë KFOR-it në lidhje me sigurinë e kufijve të shtetit, duke iu referuar rastit të hyrjes së forcave serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës para pak ditësh.

“Për sigurinë e kufijve e ka përgjegjësinë KFOR-i dhe ata kanë dalë me një deklaratë që serbët në bashkëpunim me KFOR-in kanë hyrë në territorin e Kosovës. Deri sa jemi të prirë të besojmë se KFOR është përgjegjës për sigurinë e kufijve, duhet t’i besojmë deklaratës së tyre”.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ajo arsyetoi edhe mos shkuarjen e ministrit Agim Veliu në Komisionin për Raportim, duke thënë se “edhe ai ka treguar që ka qenë një patrullim i sinkronizuar me KFOR-in dhe se nuk e di pse s’ka shkuar në Komision e që sipas saj, ndoshta ka pasur një agjendë.

“Unë e di që ne bashkërisht pozitë e opozitë duhet të bëhemi bashkë dhe ta ndalim të keqen, kur bëhet fjalë për këso çështje të ndjeshme”.

“Është detyrë e deputetëve që ta ftojnë ministrin Veliu edhe një herë dhe ai besoj që është i gatshëm që t’i përgjigjet edhe deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës”.

Po në këtë emision, deputetja deklaroi se nuk e beson që Lëvizja Vetëvendosje do ta rrëzojë qeverisë, dhe se siç theksoi, këtë po e bëjnë vetëm për marketing.

“Vetëvendosje nuk e ka seriozisht rrëzimin e qeverisë, se qeveria nuk rrëzohet në këtë mënyrë dhe LVV në kohën kur LDK e rrëzoi Qeverinë Kurti, tërë kohën kanë deklaruar se ‘në kohë pandemie po rrezohet Qeveria Kurti’, dhe në atë kohë ka pasur numër më të vogël të të infektuarve me COVID-19, jo për suksesin e Kurtit por sepse qytetarët kanë pasur mundësi të dalin vetëm një orë në ditë dhe mundësia e infektimit ishte e vogël, dhe me lirimin e masave tani është më vështirë të menaxhohet pandemia, e cila e ka kapluar gjithë botën”.

“Në këtë rast LVV është thirr që ne e kemi rrëzuar qeverinë në kohë pandemie dhe atëherë nuk është se i janë dhimbsur qytetarët, ndërsa tani me këtë numër të madh të të infektuarve janë në gjendje ta rrëzojnë qeverinë. Nuk po duan përnjëmend ta rrëzojnë qeverinë, se gjithë këtë e bëjnë për marketing”.

“Qeveria Hoti është duke e bë një punë të shkëlqyeshme, por është ende kohë e shkurtër dhe kjo duhet pasur parasysh. Në Qeverinë Hoti nuk ka arrogancë”, u shoreh ajo..