16:34, 19 Shkurt 2020

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në kabinetin e saj drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, me në krye kryetarin e kësaj federate, Agim Ademi.

Gjatë këtij takimi u diskutua për zhvillimet në futbollin e Kosovës si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe FFK-së.

“Ju keni arritur të bëni më të mirën për Kosovën, sidomos në futboll, falë punës suaj të palodhshme dhe punës së të ndjerit Fadil Vokrri, duke filluar nga pranimi në UEFA e deri te lojërat e fundit të Kombëtares së Kosovës në futboll, me të cilat na bënë krenarë djemtë tanë” u shpreh Dumoshi.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mbështetjen e MKRS-së për infrastrukturën sportive, ku në këtë rast ministrja u shpreh se është “e interesuar që ta zhvillojë sportin edhe nëpër shkollat e ndryshme të vendit, në kuadër të masivizimit të tij, sepse rinia i duhet vendit tonë, ata duhet të qëndrojë në Kosovë dhe t’i shërbejnë asaj, prandaj jam e fokusuar që ta zhvillojë sa më shumë infrastrukturën sportive.”

Tutje, ajo shtoi se ”ndërtimi i terreneve sportive është lajmi më i mirë për sportin edhe për Kosovën. Bashkë me kryetarët e komunave dhe me ju do të shohim se në ç’fazë janë projektet e kësaj natyre dhe bashkërisht do të jemi të gatshëm të mobilizohemi dhe do t’i realizojmë të gjitha ato, nëpër të gjitha komunat e Kosovës.”

Ndërkaq, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e falënderoi ministren për pritjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar dhe ndihmuar futbollin në Kosovë, duke u shprehur se angazhimi i përbashkët për realizimin e plotë të projekteve infrastrukturore sportive i shërben dhe është në kontribut të avancimit të futbollit kosovar dhe ngritjes së cilësisë së tij.

Konkurs Pune

Lexo më shumë