13:52, 23 Shtator 2019

Kadri Veseli e ka vënë në pah edhe një herë planin e tij për legalizim të përshpejtuar të të gjitha ndërtimeve pa leje, duke thënë se me këtë nismë do të mundësohet fluksi më i madh i kapitalit që ka pasur ndonjëherë ekonomia jonë.

Këtë ai e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, i cili vijon si më poshtë:

Një ndër pikat kryesore të Planit Kundër Korrupsionit është legalizimi i përshpejtuar brenda 2 vjetësh i të gjitha ndërtimeve pa leje, që nuk prekin pronat publike apo interesin publik. Sot kemi mbi 352 mijë ndërtesa dhe banesa pa fletë poseduese në Kosovë, që bllokojnë mbi 10 miliardë euro kapital. Me bazën aktuale ligjore, në procesin e legalizimit janë përfshirë vetëm 8600 ndërtime pa leje dhe me këtë ritëm duhen më shumë se 75 vjet për ta zgjidhur këtë problem”.

Prandaj ne do ta ndryshojmë këtë kornizë ligjore, duke bërë që qytetarët të paguajnë vetëm 1 euro për metër katror, ndërkohë që do lirohen tërësisht nga pagesa familjet që u përkasin kategorive të veçanta sociale. Do të krijojmë një agjenci të specializuar të përkohshme (Agjencia e Trajtimit të Ndërtimeve Pa Leje – ATNPL), e cila do të ofrojë shërbimet nën një çati për ta përmbyllur procesin brenda dy vjetësh, duke bashkëvepruar me komunat dhe koordinuar veprimet me institucionet e ndryshme shtetërore”.

Kjo nismë do t’i japë fund informalitetit në sektorin e patundshmërisë, duke i dhënë shtytje të fuqishme sektorit të ndërtimit, i cili zë 15% të Bruto Prodhimit Vendor dhe mundëson 20% të punësimit sot në Kosovë. Por, më e rëndësishmja është që kjo nismë do të mundësojë fluksin më të madh të kapitalit që ka pasur ndonjëherë ekonomia jonë, duke futur në qarkullim miliarda euro që do të përkthehen në rritje të fuqisë blerëse dhe në investime të reja”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë