12:09, 20 Qershor 2019

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjen e Ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, pasi ky i fundit u largua me vendimin e djeshëm të Kadri Veselit për shkak të akuzave korruptive.

Në një shkrim në Facebook, Haradinaj ka përmendur edhe largimet paraprake të zyrtarëve nga Qeverisa, përderisa theksoi se “në respektim të marrëveshjeve politike, Qeveria e koalicionit të gjerë, do të vazhdojë t’i kryej detyrat qeverisëse ndaj qytetarëve të vendit, pa dallim!”

“Pranova sot, kërkesën për dorëheqje nga Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe pas kërkesës së tij, duke e falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, vazhduam me procedurat administrative duke e liruar nga detyra e Ministrit.
Gjatë udhëheqjes së Qeverisë së vendit me një koalicion me bazë të gjerë, deri tani kam liruar nga detyra:
Ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj (AKR) dhe drejtori i AKI-së Driton Gashi për rastin e ekstradimit të shtetasve turq, Ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo (Lista Serbe), vendim politik, Ministrin e MAPL Ivan Todosijević (Lista Serbe) dhe Zv. Ministren Vesna Mikić (Lista Serbe), për shkak të mohimit të krimeve të luftës dhe shkeljes së parimeve demokratike të vendit, Zv. Ministri Musa Cena – MZHR (AAK) dhe Zv. Ministri Bujar Nerjovaj MAP (AAK), për shkak të përballjes ligjore me veprime të caktuara gjatë ushtrimit të funksionit zyrtar dhe përballjes me drejtësinë, Ministrin e Tregtisë, Bajram Hasani (NISMA), Ministrin e Brendshëm Bejtush Gashi (AKR), Ministren e Ambientit Albena Reshitaj (AKR), vendim politik.
Në respektim të marrëveshjeve politike, Qeveria e koalicionit të gjerë, do të vazhdojë t’i kryej detyrat qeverisëse ndaj qytetarëve të vendit, pa dallim!” ka shkruar Haradinaj.

Konkurs Pune

Lexo më shumë