22:07, 10 Korrik 2020

Kryeministri Avdullah Hoti është shprehur i bindur se kryetari i partisë së tij Isa Mustafa do ta fitojë ‘luftën’ me Covid-19.

“Është mirë. Shëndetin e ka stabil dhe kjo është e mira. Besoj që ai ka kaluar nëpër sfida shumë më të rënda dhe jam i bindur se do ta kalojë edhe këtë me disiplinën që ka ndaj shëndetit. I uroj shërim të shpejtë atij dhe gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Më lejoni të shpreh ngushëllime për ato familje që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kësaj pandemie”.

I kritikuar shumë për menaxhimin e pandemisë Covid-19, Hoti në RubikonKlan Kosovës ka thënë se numri i rasteve pozitive gjatë qeverisjes së kaluar ka qenë i ulët pasi vendi ka qenë në mbyllje totale.

“Nuk dua të tingëlloj aspak sikur po e hedh fajin andej ose këndej. Në një situatë kur ishim për tre muaj në mbyllje totale në gjithë vendin ka qenë e kuptueshme që numri i rasteve të prekura të jetë i ulët. Përpara se ne të merrnim qeverinë, ekonomia dhe shoqëria u hapën krejtësisht dhe u hapën para kohe. Masat që janë ndërmarrë për hapjen e ekonomisë dhe shoqërisë nga qeveria paraprake kanë qenë se paku dy ose tri javë më përpara në krahasim me vendet e tjera që ndërmorrën të njëjtët hapa”.

Por, çfarë po bën Qeveria Hoti që të përballet me pandeminë Covid-19 tani kur shumëkush e vlerëson se situata ka dalë duarsh?

“Kemi marrë disa vendime në Qeveri për të krijuar para së gjithash kapacitete shtesë. Kemi krijuar kapacitete shtesë edhe brenda QKUK-së edhe në rajone. Kemi marrë vendim që Ministria e Shëndetësisë të ketë autorizime të plota ligjore që të mobilizojë krejt stafin shëndetësor në nivel vendi, pavarësisht a janë të punësuar ose jo. Kemi autorizuar MSH-në që t’iu kërkoj spitaleve private që të vënë në dispozicion dhoma dhe shtretër në rast nevoje”.

Shefi i qeverisë ka thënë se është çështje ditësh kur do të merret vendimi që institucionet private që kanë kapacitete dhe përmbushin kriteret të mund të fillojnë testimin për Covid-19.

“Kemi filluar procedurat  për të furnizuar deri në 100,000 teste për Covid-19. Këtë vit do të shkojmë me 500,000 vaksina për grip sezonal në mënyrë që të krijohet imunitet shtesë te qytetarët. Kemi filluar procedurat për të blerë edhe shtatë aparatura shtesë për të kryer testime, sepse do ta decentralizojmë edhe në spitalet rajonale”.

“Kemi filluar procedurat për të porositur vaksinat në rast se dalin, siç kanë bërë paraporositë shtetet e tjera. Kemi filluar procedurat për të blerë terapitë për trajtim për të prekurit me Covid-19. Po i ndjekim strikt protokollet dhe udhëzimet e OBSH-së”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë