Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Hoti në Klinë, flitet për rrugën transit që lidhet me autostradën Kievë-Zahaq

NULL NULL
20.10.2020 13:18

Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e ka vizituar Komunën e Klinës.

Pas takimit që zhvilluan me kryetarin e kësaj komune Zenun Elezaj, Hoti ka lavdëruar këtë komunë për menaxhim të pandemisë.

Shefi i qeverisë tha se projekti i rrugës transit dhe projekti për ujë të pijes tashmë janë në rrugë të mbarë për t’u realizuar. Veç këtyre, Hoti ka folur edhe për çështjen e personave të pagjetur.

“U dakorduam për projektin që përfshin rrugën transit që lidhet me autostradën Kievë-Zahaq, që tejkalon qytetin e Klinës për të evituar tollovinë. E dyta, furnizimi me ujë që ka kohë që nuk është zgjidhur për Komunën e Klinës dhe tani besoj se është në rrugë të mbarë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit. Do të jetë pjesë e buxhetit 2021 dhe besoj se do të përmbyllet njëherë e përgjithmonë kjo çështje. Komuna e Klinës dhe disa komuna të tjera e kanë dhe është shumë e ndjeshme çështja e personave të pagjetur ku jemi duke punuar shumë me Komisionin Qeveritar”.

Për projektet kulturore dhe sportive që dedikohen për Klinën foli Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e cila tha se kjo komunë më herët nuk ka qenë e përfshirë në buxhetin e kësaj ministrie.

Sipas saj, projektet që kërkojnë investime kulturore dhe sportive për klinasit do të përfshihen në buxhetin e vitit 2021.

“Fushë për tenis, fushë basketbolli tek Parku i Qytetit e gjithashtu është edhe Shtëpia e Kulturës ku do t’i ndihmojmë që të realizohet një kinema e qytetit janë disa nga projektet që do të bëjmë. Kurse, në pjesën e trashëgimisë kulturore në Dresnik është një park shumë unik ku paraqitet një park mozaik me mijëravjeçar dhe do vazhdojmë punimet edhe në pjesën e arkeologjisë. Kërkesa janë edhe për dy kulla të cilët i takojnë pjesës së trashëgimisë edhe me ato do të procedojmë dhe do t’i kryejmë bashkë”.

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se kjo komunë ka arritur ta menaxhojë mirë pandeminë COVID-19. Ai tha se ka marrë mbështetje për projekte jetike për qytetarët e kësaj komune.

“Klina ka nevojë për mbështetjen e kryeministrit, sidomos për çështjen e furnizimit me ujë të pijes së qytetarëve dhe transiti i qytetit e cila është një rrugë e cila e bashkon edhe Komunën e Istogut, por edhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve. Për të dyja projektet hasëm mirëkuptim dhe besoj që do të kemi mbështetjen e qeverisë”.

Para vizitës në Klinë, kryeministri Avdullah Hoti ka marrë pjesë në inaugurimin e Palestrës Sportive në Deçan.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.