Historia e emigrantit kosovar, Përparim Rama në CNN (VIDEO)

Historia e emigrantit kosovar, Përparim Rama në CNN (VIDEO)

NULL NULL
6 years më parë

Në momentin e krizës së madhe të emigracionit me të cilën po përballet këto kohë Europa, CNN ka sjellë në vëmendje historinë e nje emigranti nga Kosova dhe familjes së tij, të cilët për shkak të luftës iu desh të shpërndaheshin e të përjetonin të qënit refugjatë.

“Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pash të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, ka treguar Përparim Rama për rrjetin informativ amerikan.

Përparimi u strehua tek një kushëriri i tij dhe kërkoi azil, ç’ka duke vlerësuar situatën në vendin e tij të lindjes nga lajmet që qarkullonin në media, iu dha.

Gjatë kohës së krizës në Kosovë ai vendosi të linte punën në studion e arkitekturës dhe t’i përkushtohej çështjes së refugjatëve të vendit të tij për t’i ndihmuar.

Ishte momenti kur NATO ndërmori sulmet ndaj Serbisë dhe familja e tij ishte mes atyre që u larguan nga Kosova, çka bëri që për të paktën dy muaj Përparimi të humbiste kontaktet me ta.

“Familjes time iu lanë vetëm 5 minuta në dispozicion për të marrë ç’të mundesj e të largohej. Kështu që mamaja ime mori vetëm një album fotografik të familjes dhe im atë, si një piktor dhe pedagog artesh, mori punimet e tij më të mira. Prej aty shkuan në Maqedoni dhe më vonë për në SHBA”, vijon tregimin zoti Rama.

Përparimi vazhdoi studimet në Britani për arkitekturë dhe sot zotëron një kompani të tijën, që kryen punime në mbarë botën. Ai ka punësuar atje refugjatë, sikundër dhe ai dikur, njerëz që i largohen persekutimeve dhe e kanë përjetuar të qenurit emigrant.

Sot Europa është e mbushur me refugjatë që dynden kufijve të shteteve anëtare të BE-së e sikurse Përparimi kërkojnë një jetë më të mirë, duke iu shmangur konflikteve në vendet e origjinës për të cilat ai mund të thotë diçka.

“Imazhet e refugjatëve që po shohim këto kohë më kujtojnë familjen time dhe bashkëkombësit e mi që në ato vite ndiqnin të njëjtën rrugë për një jetë më të mirë”, tha Përparimi, duke e mbyllur me një mesazh:

“Në kohë si këto që po kalojmë duhet që të gjithë të bëhemi solidarë. T’i ndihmojmë ata dhe t’i udhëheqim drejt një jete më të mirë”.

https://www.youtube.com/watch?v=gBfp4kzcQF4