Lajmet e fundit

Thierry Henry ka komentuar çështjen e Manchester Cityt dhe akuzat për 114 shkelje të rregullave të Premier League, duke thënë se një dënim vetëm me heqje pikësh nuk do të ishte i mjaftueshëm nëse klubi shpallet fajtor.
“Duhet të jem i sinqertë. Nëse Manchester City është shpallur fajtor për 114 shkelje, nuk e kuptoj se si një zbritje pikësh mund të jetë e mjaftueshme. Nëse këto shkelje i kanë dhënë avantazh, atëherë titujt e fituar gjatë asaj periudhe duhet të vihen në pikëpyetje”, u shpreh Henry.
Legjenda franceze shkoi edhe më tej, duke argumentuar se titujt dhe trofetë e fituar në atë periudhë duhet t’i hiqen klubit, ndërsa rekordet të korrigjohen.
“Për mua, titujt e Premier League duhet të hiqen. Trofetë duhet të merren, rekordet të korrigjohen dhe dënimi duhet të shkojë përtej heqjes së pikëve. Edhe rënia nga kategoria duhet të merret në konsideratë”, deklaroi ai, transmeton Klankosova.tv.
Henry theksoi se çështja, sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me Manchester Cityn, por me integritetin e garës.
“Nëse i shkel rregullat në atë shkallë dhe shpallesh fajtor, nuk mund të mbash gjithçka që ke arritur dhe të vazhdosh sikur asgjë nuk ka ndodhur. Hiqni titujt, hiqni trofetë dhe lërini rekordet të pasqyrojnë atë që ka ndodhur. Përndryshe, çfarë mesazhi po u dërgojmë klubeve të tjera?”, përfundoi Henry.