23:37, 29 Tetor 2015

Gjilani së shpejti do të lidhet me Prishtinën përmes një autostrade që Kosovës do t’i kushtojë me miliona euro.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri ka thënë se kjo rrugë paraqet një rëndësi të madhe infrastrukturore për Kosovën.

“Ndërtimi i Autostradës së re Gjilan Prishtinë është lajm i madh për tërë vendin jo për vetëm për Gjilanin. Nga këtu do të fillojë ndërtimi i aksit më të madh rrugor që lidh juglindjen e Kosovës me Europë. Rruga më e re do t’iu mundësojë edhe disa fshatrave të lidhen direkt në rrugën e kombit. E kjo autostradë do të mundësojë që të kalohet edhe në korridore ndërkombëtare të autostradave”, ka thënë Haziri gjatë një interviste në lidhje direkte në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova.

Haziri ka bërë të ditur se ky projekt do të fillojë të jetësohet gjatë vitit të ardhshëm dhe sipas tij mjetet për realizimin e këtij projekti, nuk janë fare problem.

“Vitin e ardhshëm qeverisa do t’i mobilizojë fondet e të fillojë me ndërtimin e autostradës. Baza kryesore e mjeteve do të vijë nga qeveria. 230,000,000 euro është opsioni më i shtrenjtë, kurse kemi edhe opsione të tjera që do të kushtojnë më lirë”.

“Edhe BERZH do ta ndihmojë ndërtimin e kësaj autostrade. Mobilizimi financiar është puna më e vogël, për shkak se është vullneti politik ai që ka rëndësi”.

Kryetari Haziri u shpreh se meritën për realizimin e këtij projekti, nuk ia vesh askujt përveç qytetarëve të Kosovës.

“Ndërtimi i autostradës që lidh Gjilanin me Prishtinë është nevojë e qytetarëve të Kosovës. Kjo ishte nevojë e kohës dhe punën për autostradë nuk ia atribuoj asnjë partie politike. Meritën për iniciativën e ndërtimit të saj e kanë qytetarët e Anamoravës”.

Duke folur për problemet politike në mes qeverisë dhe opozitës, Haziri mendon se dialogu duhet të shqyrtohet si alternativë për të zgjidhur krizën që e ka kapluar Kosovën që kur u nënshkruan marrëveshjet me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe e me Malin e Zi për demarkacionin.

“Kryeministri është konstruktiv dhe ka racionalitet në politikë. Atij duhet t’i jepet mundësi dhe hapësirë ta tregojë këtë konstruktivitet. Opozita duhet ta shfrytëzojë dialogun si opsion për zgjidhje”, ka thënë Lutfi Haziri.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë