Lajmet e fundit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje.
Haxhiu tha se në rrethanat aktuale, partitë duhet të vazhdojnë diskutimet për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“U uroj të gjitha partive politike të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për ta çuar vendin në zgjedhje. As për qytetarët e Republikës së Kosovës, as për vetë Republikën e Kosovës, por as në rrethanat në të cilat jemi, sidomos pas 16-17 shtatorit, nuk do të duhej as t’i shkonte në mendje dikujt që të bënin veprime të cilat çojnë drejt zgjedhjeve”, u shpreh Haxhiu, raporton EO.
Ajo tha se takimet mes partive politike duhet të vazhdojnë, ndërsa theksoi se Kuvendi ka pak ditë në dispozicion, deri më 5 tetor, për të gjetur një emër për president.
“Pres që siç e ka përmendur edhe kryeministri Kurti sot, të vazhdojnë [takimet]. Është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës, gjatë këtyre pak ditëve që i kemi në dispozicion deri me 6 tetor, që ta ketë një emër për president. Tashmë ka një emër, megjithatë duhen votat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, prandaj unë pres që partitë politike të vazhdojnë diskutimet dhe që në mënyrë që të jetë që ta zgjedhim presidentin”, deklaroi Haxhiu.
U.D. Presidentja ka thënë se qeveria pritet ta dërgojë opinionin mbi Dhomat e Specializuara të Hagës në Kuvend brenda kësaj jave.
“Sa i përket kësaj çështjeje, ju keni pasur mundësi që të ndiqni konferencën e kryeministrit Kurti. Tashmë, sipas kryeministrit Kurti, qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që në dispozicion qeveria sipas rregullores administrative ka 30 ditë. Me aq sa ne kemi qenë në komunikim, ata bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave të drejtohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për legjislacion dhe komisionet e tjera të Kuvendit të Kosovës”, shtoi Haxhiu.
Ndër të tjera, ajo foli edhe për katër ish-krerët e UÇK-së të dënuar në shkallën e parë të gjykatës në Hagë, duke deklaruar se ata kanë nevojë për mbështetje institucionale.
“Ata të cilët padrejtësisht janë dënuar nga Gjykata e Hagës, pra Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kanë nevojë për mbështetjen institucionale dhe jo që t’i lëmë të vetëm në një situatë ku është e rëndë edhe për qytetarët e Republikës, edhe për Republikën e Kosovës. Për sa i përket protestave, natyrisht që për mua protestat janë shumë demokratike. Unë përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekurinë që kanë treguar; protestat kanë qenë paqësore, por po ashtu duhet të falënderoj edhe Policinë e Kosovës për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate”, potencoi U.D. Presidentja, Albulena Haxhiu.