Lajmet e fundit

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka reaguar pas miratimit të Deklaratës për Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se sot, Kuvendi foli me një zë, transmeton Klankosova.tv.
“Lufta e popullit tonë për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit dhe krimeve të rënda të Serbisë, në një kohë kur populli ynë vritej, dëbohej dhe përndiqej nga shtëpitë e veta. Kjo e vërtetë nuk zhbëhet me asnjë aktgjykim”, ka shkruar ajo.
Pos tjerash, kryeparlamnetarja tha se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë të bashkuara, përmes një strategjie të përbashkët juridike dhe diplomatike, për të mbrojtur të vërtetën dhe për të paraqitur drejtësisht para botës luftën e popullit për liri.
“Rruga drejt drejtësisë vazhdon përmes procesit të apelit. Ne do të qëndrojmë bashkë në këtë betejë, deri në lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së”.