Lajmet e fundit

U.d. e presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sot Grupin e Intelektualëve, mbetjet mortore të tri prej të cilëve u gjetën muajin e kaluar në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokët.
Ajo tha se u deshën 27 vjet që familjet e tyre të marrin një përgjigje për fatin e më të dashurve që tash do të prehen në paqe.
“Sot, në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’ në Mitrovicë, kujtuam dhe nderuam Adem Beqirin, Idriz Rrecajn dhe Salih Mëziun. Pas 27 vjetësh kërkimi, familjet e tyre më në fund morën përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët tashmë do të prehen në paqe”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
“Më 19 prill 1999, forcat serbe rrëmbyen 23 civilë shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’. Ata u ndaluan në Melajë, në Kalludër të Vogël, u keqtrajtuan, u ekzekutuan dhe trupat e tyre u fshehën për të zhdukur gjurmët e krimit”.
“Gërmimet në Kalludër dhe Jabukë, bashkë me analizat e ADN-së, konfirmuan identitetin e Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut. U gjetën në varre pa emër, por tani do të prehen me emrat e tyre dhe familjet do të kenë një vend ku t’i kujtojnë e t’i nderojnë”.
Haxhiu shprehu mirënjohje për gjithë ata që punuan në gjetjen dhe identifikimin e tyre.
“Mirënjohje të gjithë atyre që punuan me përkushtim për gjetjen dhe identifikimin e tyre. Kërkimi duhet të vazhdojë për 20 anëtarët e tjerë të grupit dhe për çdo person të zhdukur me dhunë. Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa për krimet e luftës duhet të ketë drejtësi”.
“Familjeve Beqiri, Rrecaj dhe Mëziu ua shpreha ngushëllimet e mia më të sinqerta”.
“I përjetshëm qoftë kujtimi i Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut, si dhe i të gjithë të rënëve dhe të vrarëve për lirinë e Kosovës!”