RUBIKON | Hasani: Besoj fuqishëm se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” nuk mund të vërtetohet nga Specialja (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

RUBIKON | Hasani: Besoj fuqishëm se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” nuk mund të vërtetohet nga Specialja (VIDEO)

NULL NULL
18.04.2023 21:00
enver hasani rubikon

22:15 – Hasani: Besoj fuqishëm se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” nuk mund të vërtetohet nga Specialja (VIDEO)

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur në Rubikon të Klan Kosovës mbi procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Hasani është shprehur i bindur se Gjykata Speciale nuk do të mund ta vërtetojë të ashtuquajturën “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Unë besoj se dëshmitarët nuk po mbulohen për t’i ruajtur ata, por sepse pritjet e organit të akuzës nuk janë siç kanë besuar dhe unë besoj, në bazë të atyre që janë publike, që kurrë nuk do të mund ta vërtetojnë në asnjë formë atë që po quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale, në asnjë asnjë prej tri formave nuk do të mund të dëshmohet kontinuiteti.  Në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” nuk mund ta dëshmosh qëllimin kriminal me faktin që unë dhe ti kemi qenë shokë qe 30 vjet.”

“Të gjithë ne kemi qenë këtu, e dimë çfarë strukture represive ka pasur, pastaj ka dy standarde, ka qenë rasti i Limajt dhe Haradinajt, ka qenë pragu i shtëpisë siç thoshte Ibrahim Rugova, përgjegjësia individuale pastaj është tjetër temë, ajo është përgjegjësi që dëshmohet në mënyra tjera”. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


22:09 – Hasani për zgjedhjet në veri: Zbatimi i ligjit me dhunë e frikësime – mungesë sovraniteti (VIDEO)

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si gabim insistimin për mbajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore të vendit, duke thënë se kjo e dëmton imazhin e Kosovës.

“Legaliteti jo domosdo ngërthen legjitimitetin, unë besoj se është gabim i madh që po synohet që me metoda legale gjoja të rendit dhe ligjit të imponohet një vullnet ndaj serbëve lokal, sepse kjo shkon në dëm të imazhit të Kosovës si shtet sa i përket mënyrës së zbatimit të ligjit” tha Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese shtoi se çështja e zgjedhjeve në veri duhet të zgjidhet politikisht.

“Zbatimi i ligjit i shoqëruar me dhunë dhe frikësime quhet mungesë sovraniteti, dhunë dhe frikësim sepse forcat kryesore politike po e bojkotojnë, nuk është argument të thuash po iu thotë Vuçiqi, Lista Serbe është parti e regjistruar këtu dhe ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës, problemi duhet të zgjidhet politikisht, po nuk e bëtë këtë ky do të jetë një minus i madh i Kosovës pranë atyre që tash janë edhe ndërmjetësues edhe zbatues të zotimeve tona ndërkombëtare. Si shtet duhet të gjesh mënyra siç janë gjetur përpara, mënyrat e imponimit të vullnetit me dhunë vetëm na dëmtojnë” tha Hasani në Rubikon të Klan Kosovës.

Sipas Hasanit ndonjë incident eventual gjatë këtyre zgjedhjeve do t’i shkonte në favor Serbisë.

“Unë e pash i ka reduktuar zonat zgjedhore, reduktimi i zonave zgjedhore a e ke pyet dikë? A ke bërë ndonjë sondazh? Apo janë vetëm konsiderata të sigurisë, nëse janë konsiderata të sigurisë ato nuk mbahen sepse çdo ditë po digjen kerret, po shantazhohen njerëzit, nesër mund të vritet dikush, krejt fatura bije në Prishtinë, jo te Vuçiqi, ai veç i fërkon duart” tha Hasani. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


21:52 – Hasani: Osmani ta dorëzojë mandatin nëse Kushtetuesja i rrëzon dy deputetët (VIDEO)

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur mbi efektin që do ta kishte në mandatin e presidentes Vjosa Osmani në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të kërkesës së ish-deputetit Veton Berisha, për shpalljen e mandateve të dy deputetëve të “Romani Iniciativa” si të pavlefshme.

Hasani tha se Osmani duhet ta dorëzojë mandatin në rast se Gjykata Kushtetuese i shpallë të pavlefshme mandatet e dy deputetëve, të cilët kanë marrë pjesë në seancën e vitit 2021 për votimin e presidentes.

“Efekti juridik është ky; në qoftë se vjen deri te anulimi, nëse në raundin e parë dhe të dytë ekziston… përveç Kushtetutës ekzistojnë edhe dy aktvendime të Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli dhe Thaçi, të cilat kërkojnë që në raundin e parë dhe të dytë të jenë në kuti 80 vota, vetëm në herën e tretë ka ndryshuar standardi që të jenë 60 vota. Kjo e ka ndërtuar një standard, nëse në rastin e parë nuk kanë qenë 80 deputetë në sallë, është kaluar në fazën e dytë, nëse nuk kanë qenë as në fazën e dytë, nuk ka mundur të shkojë në fazën e tretë”.

“Nëse konstatohet se u është cenuar e drejta kushtetuese, për pasojë dy mandate janë të pavlefshme ose jo kushtetuese, nuk diskutohet ajo punë, domethënë (presidentja) duhet ta dorëzojë mandatin dhe të kthehet në pikën zero, nuk mund të ketë interpretim tjetër”, tha Hasani në Rubikon të Klan Kosovës.

I pyetur se a ka afate për kontestimin e ligjshmërisë së zgjedhjes së presidentes së vendit, Hasani tha se kjo çështje nuk lidhet me afate.

“Pas dhjetë vjetësh mund ta sfidosh dhe të gjendet një dispozitë që është jo kushtetuese dhe e ka efektin e njëjtë sikur ditën kur është zgjedhur ligji edhe pas dhjetë vjetëve. Nuk ka lidhje koha, gjykata i përcakton pasojat juridike, mund ta përcaktojë a i afekton apo jo”, sqaroi Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese shtoi se në një skenar të tillë, Kuvendit do t’i duhet të votojë përsëri për president.

“Dy vendime janë: një aktgjykim dhe një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, vetëm përsëritet votimi në Kuvend dhe u krye muhabeti”, përfundoi Hasani. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


21:36 – Hasani: Marrëveshja e Ohrit krijon pushtet paralel me seli në veri (VIDEO)

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, me marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Ohër, krijohet një pushtet paralel që do të ketë seli në veri, e që do ta rivalizojë pushtetin në Prishtinë.

“Ka gjëra që kanë me qenë vështirë të përpihen, asociacioni, autonomia territoriale dhe jo territoriale – vetëmenaxhimi ka të bëjë me autonominë jo territoriale. Ajo që quhet ‘institucioni ombrellë’, institucioni ombrellë i autonomisë joterritoriale zakonisht është një lloj kuvendi i atij komuniteti, bashkësie, atij grupi etnik, gjuhësor, e kështu me radhë. Në rastin e këtyre, ombrellë do të jetë asociacioni i këtij vetëmenaxhimi, pritet të mos ketë vetëm kuvend, por disa struktura që do të formohen për ta ekzekutuar vetëmenaxhimin, autonominë territoriale”, tha Hasani.

Ai tha se kjo marrëveshje krijon një kushtetutë materiale.

“Ne i themi kushtetutë materiale, kushtetuta në kuptimin material është kur nuk ka rëndësi kush e nxjerr normën, nuk ka rëndësi hierarkia e normave, por ka rëndësi që materia është materie kushtetuese dhe prodhon një kushtetutë materiale për shkak se organizon pushtetin”, tha Hasani në Rubikon të Klan Kosovës.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese shtoi se kjo marrëveshje është shumë më shumë se “Zajednica”. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


21:23 – Hasani: Nëse shefi i AKI-së e ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ka bërë vepër penale (VIDEO)

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për shkrimin e publikuar në “Paparaci” ku thuhet se shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, për ta informuar këtë të fundit për gjyqtarët e Kushtetueses se kinse po përfshihen në krim.

Sipas Hasanit, nëse shefi i AKI-së ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ai ka bërë vepër penale e abuzimit të detyrës zyrtare.

“AKI-ja asnjë autorizim dhe asnjë pikë bashkëpunimi me Gjykatën Kushtetuese nuk e ka, asnjë. AKI mund ta vizitojë Gjykatën Kushtetuese vetëm nëse ka ndonjë raport personal, apo muhabet me dikë, ose kur të zgjidhet kryetari shkon me ia uru, e as kjo nuk është me vend”, tha Hasani.

Hasani tutje tha se Gjykata Kushtetuese nuk e ka mandat luftimin e krimit, prandaj AKI-ja nuk merr leje nga ky institucion për zhvillim të hetimeve qoftë brenda institucionit të gjykatës.

“Nëse AKI-ja ka informata se kushdo qoftë, nga vozitësi deri të shefi i GJK-së, janë të involvuar në aktivitete që rrezikojnë sigurinë e shtetit, ai ose ajo mund t’i raportojë dhe i dërgon pjesën jo penale shefit të shtetit dhe prokurorisë. Asnjëherë nuk guxon dhe nuk ka të drejtë ta lajmërojë dhe t’i thotë kryetares së Gjykatës me supozim se aty fshihet një terrorist, sepse nuk është mandat i Gjykatës Kushtetuese ta luftojë krimin”.

“Ai nuk guxon të shkelë në oborrin e Gjykatës Kushtetuese, agjentët e AKI-së nëse kanë me operu, me përgju, me bë diçka aty, ata i kanë procedurat se si marrin leje për një gjë të tillë, por lejen nuk e marrin nga Gjykata Kushtetuese”.

“Në qoftë se ka shku aty, kjo është vepër penale e abuzimit me detyrën. Bashkëpunimi i dy institucioneve është si me thënë një farmaci ka bashkëpunuar me një xeherore. Sikur xeherorja e ‘Trepçës’ edhe farmacia, nuk e kanë as lidhjen më të vogël”, tha Hasani në Rubikon me Adriatik Kelmendin. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


RUBIKON sonte:

15 vjet pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, flet në Rubikon për disa nga vendimet më të rëndësishme të kësaj gjykate, kundërshtimet më të mëdha ndaj verdikteve të saj, si dhe u jep përgjigje shumë pyetjeve aktuale që lidhen me kushtetutshmërinë.

  • Përse, sipas Hasanit, presidentja Osmani duhet ta dorëzojë mandatin në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Veton Berishës?
  • Përse thotë se insistimi për mbajtjen e zgjedhjeve në veri në këto rrethana i shkon në favor Vuçiqit?
  • Reagimi i cilit institucion të Kosovës është “reminishencë e UDB-së serbe”, sipas Hasanit?
  • Përse thotë se Marrëveshja e Ohrit është më shumë se Zajednica?
  • Kush po e godet Gjykatën Kushtetuese?
  • Përse shprehet i bindur se Gjykata Speciale nuk do të mund ta vërtetojë “ndërmarrjen e përbashkët kriminale?

Këto dhe të tjera mund t’i ndiqni sonte në Klan Kosova, duke filluar nga ora 20:45.