Harris flet me Osmanin në telefon, e falënderon për mikpritjen e afganëve NULL NULL 03.09.2021 19:01 03.09.2021 19:01 Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e SHBA-së Kamala Harris. Partneriteti i shkëlqyeshëm mes të dyja vendeve dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede. Osmani i ka shprehur zëvendëspresidentes amerikane mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tonë në procesin e konsolidimit të shtetësisë. Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Joe Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash. Ajo tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë. Zëvendëspresidentja Harris theksoi se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë. Ajo shprehu po ashtu mirënjohjen e Administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës. Gjatë bisedës, Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonisë nga ana e presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III. Në këtë shkëmbim të parë ndërmjet të dy lidereve, Osmani shfrytëzoi rastin që edhe njëherë ta urojë Harris për emërimin në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo theksoi se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike. Tutje, ajo theksoi se emërimi i Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Presidentja kosovare e ftoi zëvendëspresidenten amerikane ta vizitojë Republikën e Kosovës për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.