12:42, 27 Maj 2020

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Spitalin Rajonal të Pejës, ku është pritur nga drejtori i spitalit, Skender Dreshaj.

Haradinaj, në një deklaratë para mediave, tha se arsyeja që ai vizitoi këtë spital është që të shprehë falënderimin dhe mirënjohjen e tij për personlin mjekësor, për punën e bërë gjatë periudhës pandemike. Ai tha se ndjen obligim ndaj këtij sektori.

“Sot kemi ardhë me shprehë një mirënjohje dhe falënderim për një punë vërtetë heroike që ka bë i gjithë personeli mjekësor. Të gjithë ne në Kosovë ishim në njëfarë paqartësie dhe në një panik, por ishin këta që ishin në vijën e parë dhe ishin mburojë me i shpëtu jetërat e njerëzve tanë, me e rujtë qytetarin tonë. I falënderojmë nga zemra dhe ndjejmë obligimin tonë ndaj këtij sektori jetik, jo veç tash por gjithnjë”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për lidhjen e tij emocionale me Spitalin e Pejës, për shkak të përvojave gjatë luftës. Me shumë mjekë të këtij spitali, ai tha se janë shpëtuar shumë jetë të ushtarëve të plagosur.

“Personalisht kam lidhje emocionale me këtë spital, por sidomos me mjekët dhe personelin. Dikur kemi qenë bashkë në kohërat e vështira të luftës e të pasluftës. Kemi bë shumë angazhime në atë kohë, për shpëtimin e jetërave të të gjithë njerëzve tonë, edhe të ushtarëve të plagosur. I falënderoj, janë këtu disa bashkëpunëtorë të asaj kohe”, tha ai.

Ndërsa, Haradinaj përsëriti edhe një herë që të përmirësohen kushtet e përgjithshme të mjekëve, duke thënë që duhet filluar së zbatuar Ligji për Paga, ligj i cili po trajtohet ende nga Gjykata Kushtetuese. “Mendoj se është tepër me rëndësi me fillu zbatimi i Ligjit të Pagave. Ai ligj mund të amandamentohet në të ardhmen, por duhet të fillojë së zbatuari që tani”, theksoi Haradinaj.

Nga ana e tij, Dreshaj e falënderoi Haradinajn për vizitën e tij, përderisa i shtroi disa kërkesa për përmirësimin e kushteve të personelit mjekësor në Pejë.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë