Haradinaj kujton masakrën e Lybeniqit dhe martirët e Gjakovës NULL NULL 01.04.2023 10:59 01.04.2023 10:59 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar vrasjen e të gjithë burrave që kishin mbetur në fshatin Lybeniq të Pejës si dhe martirizimin e dhjetëra burrave e grave në Gjakovë. Haradinaj thotë se të gjithë ata ishin vrarë vetëm pse kishin ëndërruar lirinë e atdheut, njofton Klankosova.tv. “Më 1 prill 1999, në Lybeniq të Pejës forcat barbare ekzekutuan të gjithë burrat që kishin gjetur në fshat. Ata u vranë vetëm pse e ëndërruan lirinë e atdheut. Në këtë ditë ndajmë thellësisht dhimbjen me familjarët e të gjithë të rënëve të ngjarjeve që nisën më 1 prill dhe vazhduan edhe në ditët në vijim në fshatrat përreth, në të cilat regjimi i atëhershëm mori jetën e shumë civilëve të pafajshëm shqiptarë”, ka shkruar Haradinaj. Haradinaj ka përmendur edhe familjen e Januz Canës e cila u shua krejtësisht pa lënë pasardhës. “Gjithashtu sot me përulje të thellë, kujtojmë martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë. Kujtojmë familjen që u shua pa lënë pasardhës, familjen e Januz Canës. Kujtojmë gjithë ata që u sakrifikuan në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesët e tjera të Gjakovës. Asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre iu bënë mburojë kësaj toke. Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, ka përfunduar Haradinaj. Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Gruda (PDK): Qeveria Kurti e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm kryeinspektorin e Punës 2 months