Haraçi dyshohet se është shkak i rrahjes në një lokal në Kamenicë (VIDEO) NULL NULL 16.09.2020 23:30 16.09.2020 23:30 Në një piceri në Kamenicë, e cila do të hapej të premten, pasditen e sotme ka ndodhur një incident ku një punëtor i këtij lokali është rrahur nga disa persona. Pronari i kësaj picerie Mentor Qoqaj ka treguar në Edicionin Special në Klan Kosova se si ka ndodhur i gjithë rasti, derisa ai insiston se të njëjtit persona i kanë kërkuar haraç. “Para tri ditësh kanë filluar të vijnë disa djem të rinj. Njërin nga ta e njoh që është nga një fshat i Kamenicës, pasi me të kemi punuar dikur bashkë si furrtarë. Më ka parë që jam duke e hapur biznesin dhe fillimisht mi ka lyp 50 euro dhe më pas edhe 20 euro duke më thënë se i duhen për fëmijë. Ia kam dhënë dy herë, sepse e kam njohur dhe më ka ardhur gjynah. Pas dy ditësh ka filluar të më kërcënojë me mesazhe si ‘Duhet të m’i japësh 200 euro çdo muaj nëse do me punu në Kamenicë, se ndryshe s’mundesh me punu në Kamenicë’”. “Unë dyshoj që kjo gjë është një çështje me pagesë për shkak se nga familja Qoqaj kanë ardhur për t’iu bërë konkurrencë. Unë dyshoj që dikush i ka shtyrë ata. Unë fare s’kam pasë borxh ndaj tyre dhe as nuk i kam borxh atyre”. Ai ka thënë se e ka lajmëruar rastin në polici ku derisa po e jepte deklaratën ka ndodhur e gjithë ngjarja në lokalin e tij. “Kam shkuar për ta lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës në qytetin e Kamenicës. Gjatë bisedës me policinë, ata veç kishin filluar të ma thyejnë lokalin. Derisa lokali po thyhej unë isha në stacionin policor kur më erdh një mesazh nga punëtori im Bajram Duraj që më tha ‘Eja në lokal se po dojnë me më myt. Kanë ardh me të vra ty’. Unë nuk kam ardhur fare në lokal, sepse nuk më ka lënë policia për shkak të sigurisë time”. “Policia ka ardhur brenda dy minutave dhe i ka kapur autorët e rastit gjatë rrahjes. E kanë marrë punëtorin tim dhe dy personat që kanë ardhur për të më kërcënuar për të më marrë pare”. “Punëtorin e kanë sulmuar me gota dhe e kanë goditur me ngrirës. Ky i ka thënë që është thjesht punëtor dhe nuk di asgjë për rastin. Ata nuk kanë folur asgjë me punëtorin, thjesht e kanë goditur dhe i kanë thënë që kanë ardh me mbyt shefin”. Qoqaj ka thënë se punëtori i lokalit të tij është rrahur brutalisht dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda në kokë dhe duar. Ai ka deklaruar se lokalin e tij do ta hapë gjithsesi të premten, ashtu siç ishte planifikuar, derisa ka shtuar se nuk do t’i japë askujt para për haraç. “Unë nuk do të largohem nga lokali, por nuk kam pare t’i jap askujt haraç. I kam mesazhet që m’i kanë dërguar dhe i kam kamerat në ballë të lokalit”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 28/03/2024