Hapet ekspozita “Rrëfime Biografike” kushtuar Anton Çettës

Hapet ekspozita “Rrëfime Biografike” kushtuar Anton Çettës

NULL NULL
2 muaj më parë

Në kuadër të muajit të Anton Çettës, sot është hapur ekspozita “Rrëfime Biografike”, kushtuar profesorit Anton Çetta në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka falënderuar familjen Çetta që ka vënë në dispozicion të Muzeut Kombëtar dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta shohin dhe ta përjetojnë këtë histori, si pjesë e trashëgimisë shtetërore, për gjeneratat që vijnë.

“Po ju përgëzoj për këtë punë të mrekullueshme të organizimit të kësaj ekspozite. Unë jam vërtetë shumë i nderuar që pas plot aktiviteteve nga mëngjesi i sotëm në këtë ditë feste për të gjithë shqiptarët ta përmbyllim me këtë aktivitet shumë të këndshëm edhe artistik, edhe historik. Me i pa të gjithë ato foto e shkrime të ndyshme të tri gjeneratave të familjes Çetta është praktikisht historia e krejt zhvillimeve të popullit shqiptar nga shpallja e pavarësisë dhe vërtetë ju përgëzojë për këtë punë të mrekullueshme. Është më interes për gjeneratat e ardhshme gjithë kjo trashëgimi edhe kulturore, edhe historike të dorëshkrimeve të bëhet pjesë e trashëgimisë tonë shtetërore për gjeneratat që vijnë”, tha Hoti.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se kjo ekspozitë është një tregues për historinë e popullit shqiptar ndër vite.

“Vërtetë është një emocion i veçantë është festa e nëntorit me vendimin e kryeministrit, qeverisë së Kosovës në këtë 100 vjetor të të madhit Anton Çetta ne po e festojmë edhe ditën tonë kombëtare. Gjithsesi që për neve është detyrë edhe kjo ekspozitë tregon për pjesën tonë shqiptare se si kanë rrjedhur edhe ngjarjet historike duke filluar një Shqipëri e madhe pastaj e ndarë me familje dhe gjithë kjo është një thesar i madh i historisë. Ne do të kujdesemi për këtë thesar tonë historik të cilin thesar e bëjnë njerëzit dhe dijetarët, e një ndër ta ka qenë edhe profesor Anton Çetta”, tha ajo.

Kuratori i ekspozitës, Skender Boshtrakaj, tha se ka qenë nder i veçantë për të që të ndihmojë familjen që të paraqesë jetën e profesorit Anton Çettës.

“Ai nuk ka lindur po thjeshtë këtij populli i ka ndodhur, i ka ndodh në shkencë, i ka ndodhur në aktivitetin e vet, i ka ndodh si zjarri dhe mendoj që kjo gjeneratë e ka për obligim qysh e kanë pasur historikisht paraardhësit tanë ruajtjen e zjarrit, e kanë për obligim me e ruajt kujtimin për këtë njëri, për këtë ndodhi dhe për figurat e ngjashme që i kanë ndodh kombit tonë. Ka qenë një nder i veçantë me ndihmua familjen në një projekt të tillë që estetikisht me e pru në një mënyrë modeste qysh ka qenë jeta e tij, por në asnjë mënyrë vepra e tij”, tha ai.

Ndërsa, vajza e profesorit Anton Çetta, ka falënderuar të gjithë për angazhimin për këtë ekspozitë.

“Të gjitha aktivitetet që janë ndërmarrë gjatë këtij muaji po edhe muajt e ardhshëm që të rikthehet veprimtaria e babit dhe figura e tij. Faleminderit shumë dhe shiheni ekspozitën”, tha ajo.