Lajmet e fundit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Bedri Hamza, i është përgjigjur propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit.
Në një konferencë për media, Hamza ka thënë se qasja e deritanishme nuk është serioze, duke theksuar se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk i takon vetëm PDK-së.
“Kjo çka po shohim dhe çka po dëgjojmë nuk është aspak serioze për vendin, për temat për të cilat po bisedojmë. Kjo temë po tentohet të shëndrrohet në pazare të minutave të fundit. Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë, nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen e vendin tonë”, u shpreh ai.
Ai ka theksuar se bëhet fjalë për luftën e UÇK-së dhe viktimat e luftës, duke thënë se kjo çështje nuk i takon vetëm një partie politike.
“Po flasim për luftën e drejtë të popullit të Kosovës të zhvilluar përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po flasim për viktimat që i takojnë Kosovës, që janë të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pjesëtar në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdori Ligjin thjeshte, direkt për shantazh që ta arrijë qëllimin politik. Cili është qëllimi politik? Që të ketë një President politik dhe ta përmbyllë kapjen e institucioneve të shtetit”, deklaroi ai.
Kryetari i PDK-së ka drejtuar kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti, duke thënë se nuk pranon që UÇK-ja të përdoret në këmbim të ndonjë pozite politike.
"Adresa është Lëvizja Vetëvendosje dhe z.Kurti. Nuk mund të imponosh dhe nuk pranojmë që UÇK-ja të bëhet objekt i transaksionit për pozicion çfarëdo qoftë ai", u shpreh Hamza./Klankosova.tv