Haliti: Nuk e dija për seancën e presidentit, deputetët e PDK-së do të duhej të merrnin pjesë

Haliti: Nuk e dija për seancën e presidentit, deputetët e PDK-së do të duhej të merrnin pjesë

NULL NULL
6 days më parë

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për mungesën e tij në seancën për votimin e Vjosa Osmanit për Presidente të Kosovës.

Haliti në Info Magazine ka thënë se nuk ishte i informuar nga Kuvendi i Kosovës se do të kishte seancë për votimin e presidentit të vendit më 4 prill.

“Përveç rregullave që i përcakton ligji dhe Kushtetuta, gjithkush e ka jetën e vet, mënyrën e vet të jetesës dhe i ka të përcaktuara rregullat e veta. Unë jam deklaruar publikisht sa i përket punës së kuorumit. Nuk kam pasë asnjë obligim, as për të qëndruar në Kosovë, por edhe as për t’u kthyer në Kosovë nga Pogradeci”.

“Unë për vete nuk e kam ditë se seanca do të mbahej. Publikisht e kam deklaruar obligimin që e kanë deputetët, sipas Kushtetutës. Secili deputet duhet me qenë prezent në sallën e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, kjo është obligim. Si sot, si atëherë, unë do ta kem mendimin që gjithmonë deputetët zgjedhen për të votuar kundër, pro dhe abstenuar në seanca si dhe për të zhvilluar betejën politike aty”.

“Demokracia jonë e brishtë dhe akoma në hapat e parë të ndërtimit të saj ka një përvojë disavjeçare me batica dhe zbatica, unë nuk kam të drejtë të gjykoj, por mendoj që rregullat duhet të jenë të vendosura për secilin deputet. Pavarësia e deputetit duhet të jetë në rend të parë dhe jo për t’u komanduar nga kryetarët e partisë”, ka thënë Haliti.

Ai ka theksuar se nëse do ta dëgjonin atë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës do të duhej të merrnin pjesë në seancën për votimin e presidentes së vendit.

“Besoj se është më mirë që Kosova të ketë institucione, se sa të shkojë në zgjedhje. Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë që të mos jemi prezent në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit si dhe të mos marrim pjesë as edhe në votim. Nëse do të më dëgjonin mua, ne do të duhej të merrnim pjesë si dhe të votonim për apo kundër”.

“Vendimi për mospjesëmarrje të deputetëve të PDK-së në seancën për votimin e Osmanit, ishte i Këshillit Drejtues dhe Kryesisë së partisë. Ky nuk ka qenë vendim i ushtruesit të detyrës së kryetarit”.