Lajmet e fundit

Një rast i rëndë vjedhjeje ka ndodhur dje gjatë ditës në fshatin Godanc i Epërm të Shtimes, ku persona të dyshuar kanë dëmtuar një trafo të energjisë elektrike dhe kanë vjedhur pjesë të saj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Klankosova.tv se rasti është raportuar më 29 gusht, rreth orës 07:12.
Sipas tij, të dyshuarit kanë vjedhur gjithashtu derivate nga një kamion, ndërsa dëmi i përgjithshëm i raportuar nga pronari kap vlerën prej rreth 6,000 deri në 7,000 euro.
Ankuesi ka raportuar se persona të dyshuar kanë vjedhur pjesë të trafos së energjisë elektrike, kanë dëmtuar kabllot, si dhe kanë vjedhur derivate nga një kamion”, ka deklaruar Veseli.
Në anën tjetër, pronari i biznesit ka thënë se trafoja ishte pronë e tij.
Trafoja është e biznesit tim personal. Kanë qenë policia dhe, siç shihet edhe në video, e kanë hapur trafon dhe kanë marrë vetëm telin e bakrit”, ka deklaruar qytetari për Klankosova.tv.
Policia ka bërë të ditur se hetuesit e Stacionit Policor në Shtime dhe ekipi i Forenzikës Rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Hetimet janë duke vazhduar.