Lajmet e fundit

Nga sheshi i Prishtinës, protestuesit kërkojnë veprim institucional pas vendimit të Hagës ndaj katërshes së UÇK-së.
Një nga kërkesat është ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, kërkesë kjo që është dorëzuar edhe nga PDK në Kuvend, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, është caktuar edhe Paneli i Apelit për rastin Thaçi dhe të tjerët.
Në emisionin “Ora Shtatë”, për këto çështje kanë diskutuar gazetari Besian Beha, dhe avokati Skender Musa.
Sa i përket Panelit të Apelit, Beha tha se është paneli i njëjtë që ka qenë edhe në rastin e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës.
Pos tjerash, ai foli edhe për rrjedhën e Apelit në rastin e dy ish-ushtarëve të UÇK-së që u dënuan nga Haga.
“Gjykata Speciale deri më tash qysh nuk i ka marrë për bazë provat e mbrojtjes dhe i ka rrëzuar dëshmitë e diplomatëve të njohur si Clarku, Rubini, Hilli e shumë e shumë të tjerë që kanë dëshmu, është goxha pikëpyetje se qysh ka me u ndryshu ky vendim në një shkallë tjetër, ku shkalla e parë i ka rrëzuar komplet ankesat dhe parashtresat mbrojtjes”, tha ndër të tjera ai.
Ai theksoi se përveç betejës juridike në sallën e gjyqit, sipas tij është shumë e rëndësishme se si do të veprojnë edhe mekanizmat shtetëror të Kosovës.
Nga ana tjetër, avokati Musa tha se tre gjyqtarët e caktuar për Apelin e katërshes së UÇK-së, sipas tij, në rastin e Calit dhe Shalës më shumë kanë bërë një balancë mes zbatimit të ligjit që ka qenë në fuqi, sesa, sipas tij, që kanë vendosur drejtësi.
“Si jurist nuk jam i prirë të gjykojë trupat dhe kolegjet gjyqësore, është një betejë shumë e rëndë e mbrojtjes dhe të akuzuarve, dhe e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë, që pasi të merret aktgjykimi nga mbrojtja dhe të akuzuarit, të luftojmë me mjetet juridike, në këtë rast me ankesë, që ta bindin kolegjin e Gjykatës së Apelit që ky aktgjykim ka shkelje të shumta”, tha ai në Klan Kosova.