Lajmet e fundit

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për protestën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër vendimit të fundit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Gucati tha se protesta do të nisë në orën 16:00 dhe se OVL-UÇK-ja do të jetë pjesë e saj, transmeton Klankosova.tv.
“Ne kemi bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që nesër në orën 16:00 të marrin pjesë në protestë. Do të jetë një protestë paqësore dhe do të protestojmë kundër vendimit të fundit që ka marrë Gjykata Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati.
Ai bëri të ditura edhe tri kërkesat e OVL-UÇK-së.
Sipas tij, kërkesa e parë është procedimi i ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale. Kërkesa e dytë është krijimi i një komisioni ndërkombëtar dhe të pavarur për mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Speciale, ndërsa e treta lidhet me sigurimin e buxhetit për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne kemi tri kërkesa, procedimi për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, një komision ndërkombëtar të pavarur nga Kosova dhe ndërkombëtarët për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale, dhe buxheti për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së”, u shpreh ai.
Gucati paralajmëroi se, nëse këto kërkesa nuk realizohen, organizata që ai drejton do të ndërmarrë veprime të tjera.
“Ne kemi thënë, nuk do të rrimë duarkryq”, deklaroi ai.
Kryetari i OVL-UÇK-së u bëri gjithashtu thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të bashkohen dhe të procedojnë e votojnë ndryshimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara, siç tha ai, "pa humbur kohë".