Greqia, dy javë kohë nga falimentimi - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Greqia, dy javë kohë nga falimentimi

NULL NULL
12/05/2015
Ministri i Financave i Greqisë deklaron se situata financiare e vendit të tij është “tmerrësisht urgjente” dhe se kriza mund të arrijë kulmin brenda pak javësh.

Yanis Varoufakis e dha këtë paralajmërim pasi ministrat e Financave të Eurozonës u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi këstin final prej 7.2 miliardë eurosh për Greqinë, nga ndihma prej 240 miliardësh e përbashkët BE-FMN.

Ministrat thanë se Greqia ka bërë progrese, por i duhet më shumë punë. Nga ana e saj qeveria helene po përpiqet që të përmbushë detyrimet e saj sa u takon pagesave.

Më herët, vendi ballkanas filloi transferimin e 750 milionë eurove në interesa për borxhet e marra ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, një ditë përpara skadimit të afatit.

“Likuiditeti është një çështje tmerrësisht urgjente. Se si qëndron ajo, kjo dihet. S’ka nevojë t’i vijmë rrotull. Sa i takon kohës, na kanë mbetur dy javë”, tha Varoufakis.

Greqisë i duhet që brenda qershorit të arrijë një marrëveshje për reformat me kreditorët e saj ndërkombëtarë. Financat e saj vijnë gjithnjë duke u reduktuar, saqë qeveria po u kërkon institucioneve publike ndihmë.

Gjithashtu, kriza ka rritur shanset që Greqia të falimentojë për shkak të borxheve dhe të dalë nga zona e euros. Kjo e fundit insiston për një regjim rigoroz reformash, përfshirë këtu shkurtimin e pensioneve, në këmbim të ndihmës financiare. Por qeveria greke e udhëhequr nga Syriza po u reziston presioneve.

Përmes një deklarate, ministrat e Financave deklaruan se mirëpresin progresin që është bërë deri tani në negociata, por shtyan se, më shumë kohë dhe përpjekje duhen bërë për të mbushur boshllëqet e çështjeve kryesore.