Lajmet e fundit

Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, është rikthyer me urgjencë në kryeqytetin spanjoll pasi u largua nga grumbullimi me Kombëtaren e Francës, teksa të shtunën i është nënshtruar ekzaminimeve të detajuara mjekësore në qendrën stërvitore.
Klubi madrilen ka konfirmuar zyrtarisht lëndimin e 27-vjeçarit, duke bërë të ditur problemin që ka shfaqur në gju.
Pas ekzaminimeve të kryera sot nga stafi mjekësor i Real Madridit ndaj lojtarit tonë Kylian Mbappe, është diagnostikuar një hiperzgjatje e kapsulës së pasme të gjurit të majtë. Gjendja e tij do të monitorohet vazhdimisht”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit mbretëror, transmeton Klankosova.tv.
Parte médico de Mbappé.https://t.co/BtT49vEgsp
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) September 26, 2026
Mbappe e pësoi lëndimin vetëm pak minuta pasi shënoi golin e vetëm dhe të fitores (1-0) për Francën përballë Turqisë, duel ky që shënoi edhe debutimin e Zinedine Zidane në stolin e “Gjelave”. Kapiteni francez u detyrua të braktiste fushën para kohe për shkak të dhimbjeve të forta.
Ndonëse Real Madridi nuk ka dhënë një afat të saktë kohor për rikuperimin e tij, mediat spanjolle raportojnë se sulmuesi pritet të mbetet jashtë fushave të blerta për të paktën dy javë.