Lajmet e fundit

Një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre në qytetin e Korçës mbrëmjen e së martës.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre, ku dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, njëri prej vëllezërve ka goditur me sëpatë vëllanë e vet, transmeton Klankosova.tv.
Sipas të dhënave paraprake, personi i dyshuar për ngjarjen raportohet se ka probleme të shëndetit mendor. Pas konfliktit, ai është larguar nga banesa, por është kapur vetëm pak minuta më vonë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.
I plagosuri është transportuar në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën mjekësore. Ai ka marrë një plagë në shpatull dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autori i dyshuar është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku po kryhen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave të konfliktit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes dhe motivet që çuan në përplasjen mes dy vëllezërve.