GLSP: Problematik numri i madh i lëndëve të trashëguara për korrupsion dhe krim të organizuar - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

GLSP: Problematik numri i madh i lëndëve të trashëguara për korrupsion dhe krim të organizuar

NULL NULL
3 months më parë

Gjykatat gjatë vitit 2021 kanë shënuar progres në shqiptimin e dënimeve plotësuese për veprat korruptive, por problematikë mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptive, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave “ kështu thotë raporti i platformës “Drejtësia Sot” me titullin “Prezantimi i raportit të monitorimit të Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë Janar – Dhjetor 2021”.

Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupit për Studime Juridike dhe Politike thotë se Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar numrin më të madh të dënimeve plotësuese në gjithsej 4 raste, kurse Gjykata Themelore e Ferizajt nuk ka shqiptuar këso lloj dënimi.

“’Drejtësia Sot’, përgjatë kësaj periudhe monitorimi ka vlerësuar si shumë pozitive rritjen e numrit të rasteve ku janë shqiptuar dënime plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi për veprat penale të natyrës korruptive, për të cilat ‘Drejtësia Sot’ ka rekomanduar në vazhdimësi. Në këtë drejtim Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar numrin më të madh të dënimeve plotësuese që është “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, dhe atë në 4 raste, pastaj vije Gjykata Themelore në Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë me nga 2 raste, ndërkaq që Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe Prizren me nga një rast. E vetmja gjykatë në nivel vendi e cila nuk ka shqiptuar dënim plotësues gjatë kësaj kohe ishte Gjykata Themelore në Ferizaj. Si problematikë mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptive, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave në nivel vendi, e sidomos në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila edhe më tutje mban primatin me numrin më të madh të lëndëve të trashëguara në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Sipas saj sa i përket lëndëve të korrupsionit në vitin 2022, gjykatat e shkallës së parë kanë trashëguar 294 lëndë të kësaj natyre.

Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ajo e Mitrovicës mban primatin si gjykata që ka trashëguar më së shumti lëndë të korrupsionit të mbetura për t’u trajtuar.

“Sa i përket lëndëve të korrupsionit, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe Departamenti i Krimeve të Rënda, në vitin 2021 kanë pasur në punë 214 lëndë, ndërsa kanë arritur të zgjedhin vetëm 40 lëndë të kësaj natyre, do të thotë nuk kanë arritur që të zgjedhin as 1/5 e lëndëve që e kanë pasur në punë. Gjykata Themelore në Prizren ka zgjidhur 23 nga 43 lëndë që ka pasur në punë, Gjykata Themelore në Pejë ka zgjidhur 14 nga 33 lëndët që ka pasur aktive, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka zgjidhur 13 nga 48 lëndët aktive, Gjykata Themelore në Ferizaj ka arritur të zgjidh 10 nga 24 lëndët që ka pasur në punë, Gjykata e Gjilanit ka zgjidhur 16 nga 39 lëndët aktive kurse Gjykata në Gjakovë ka arritur të zgjidh 13 nga 22 lëndët që ka pasur në punë. Nga kjo vërejmë që në raportin mes lëndë aktive dhe atyre që janë zgjidhur, Gjykata Themelore në Gjakovë ka pasur shkallë më të lartë të efikasitetit… 03’00 Në vitin 2022, gjykatave të shkallës së parë i janë trashëguar 294 lëndë të korrupsionit, duke mos përfshirë këtu lëndët e reja që do të pranohen gjatë këtij viti. Përjashtuar Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gjykata Themelore e Mitrovicës mban primatin si gjykata që ka trashëguar dhe që ka më së shumti lëndë të korrupsionit të mbetura për t’u trajtuar”, u shpreh ajo.

Sipas ‘Drejtësia Sot’ sa i përket aktakuzave të ngritura për rastet e korrupsionit prin Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda me 29 aktakuza, ndërsa prokuroritë me numrin më të vogël të akteve akuzuese të ngritura janë PSRK dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj me vetëm nga 7 aktakuza të ngritura për korrupsion gjatë tërë vitit 2021.

Sa i përket lëndëve të krimit të organizuar, Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS u shpreh Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës mbeten gjykatat më lëndë aktive të kësaj fushe.

Kurse, sa i përket rasteve me veprën penale “Shpëlarje e parave”, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Themelore në Prizren kanë lëndë aktive të kësaj natyre.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, ajo e Pejës dhe e Mitrovicës mbeten edhe me tutje gjykatat e vetme në vend të cilat kanë aktive lëndë të krimit të organizuar. Kësisoj, gjatë vitit 2021, Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka pasur në punë 29 lëndë, ndërsa ka arritur të zgjedh vetëm 1 prej tyre, ndërsa Departamenti Special i kësaj gjykate dhe DKR-të e Gjykatës Themelore në Pejë dhe Mitrovicë nuk kanë zgjidhur asnjë rast, pavarësisht se të njëjta kanë në punë 38 lëndë që presin verdikt final nga këto institucione[…]Sa i përket rasteve me veprën penale “Shpëlarje e parave”, në bazë të monitorimit sistematik nga Drejtësia Sot rezulton se Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Themelore në Prizren kanë lëndë aktive të kësaj natyre. Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka trashëguar 4 lëndë të kësaj natyre e nuk ka zgjidhur asnjë, ndërkaq Departamenti Special i kësaj gjykate ka trashëguar 5 lëndë të pastrimit të parave ku njëra prej të cilave ka përfunduar me aktgjykim lirues, duke mbetur kështu në punë edhe 4 lëndë të tjera. Ndërkaq, që Gjykata Themelore në Prizren në këtë drejtim ka të trashëguar një lëndë të kësaj natyre e cila ende pret epilogun përfundimtar”, tha ajo.

Liridon Salihi nga platforma “Drejtësia Sot” , u shpreh se gjatë monitorimit ka hasur në dy lloj të shkeljeve sa i përket afateve për caktimin dhe mbajtjen e seancave gjyqësore.

“Shkelja e parë ka të bëjë me mos respektimin e afatit për caktimin e shqyrtimit fillestar, kurse shkelja e dytë për mos respektimin e afatit ligjor për caktimin dhe mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor sipas afateve ligjore. Mangësi që kanë të bëjnë me emërtimin ligjor të veprës penale dhe përshkrimin faktik të dispozitivit të akteve akuzuese: shkelje të gjykatës me rastin e pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurve, shkelja e ligjit special (lex specialis), mos arsyetimi i vendimeve gjyqësore gjatë shpalljes së aktgjykimeve, tejkalimi i afatit për shpallje të aktgjykimit, shqiptimi i gabueshëm dhe pa kohëzgjatje i dënimit plotësues, mosarsyetimi i rrethanave lehtësuese dhe rënduese, mosrespektim i procedurës së marrjes në pyetje të dëshmitarëve, mospërmbushja e detyrimit ligjor për dorëzimin e materialeve të lëndës, mos aplikimi i dënimeve plotësuese nga ana e gjykatës, mungesa e arsyetimit të vendimit për ndalimin e publikimit të identititetit të dëshmitarëve dhe të akuzuarit, parashkrimi i lëndëve gjyqësore në nivel vendi”, u shpreh Salihi.

Po ashtu sipas këtij raporti të Drejtësi Sot, Gjykata e Apelit në periudhën e raportimit janar- dhjetor 2021, ka zgjidhur gjithsej 27 lëndë të natyrës së korrupsionit ku prej tyre ka kthyer në rigjykim 10 lëndë, ka vërtetuar 13 lëndë të gjykatave të shkallës së parë dhe ka ndryshuar 4 vendime të gjykatave të shkallës së pare, ndërsa Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës sipas të dhënave zyrtare për veprat penale të natyrës korruptive ka pasur 21 lëndë në punë, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore edhe kanë marrë vendime të formës së prerë.

Drejtësia Sot i ka dhënë edhe disa rekomandime ndër to i ka rekomanduar KGJK-së që të merren parasysh rastet kur për gjyqtarët e njëjtë brenda një periudhe të shkurtër kohore zhvillohen me shumë se një shkelje disiplinore, si rrethanë për të vendosur sanksion me të rëndë disiplinor, ndërsa, ka ftuar gjyqtarët të respektojnë afatet ligjore për caktimin, mbajtjen dhe përfundimin e seancave të shqyrtimeve gjyqësore, duke respektuar parimin e gjykimit të drejtë brenda një kohe të arsyeshme. Drejtësia Sot u ka rekomanduar prokurorëve që me rastin e ngritjes dhe përfaqësimit të aktakuzave të tregojnë profesionalizëm gjatë trajtimit të lëndëve në gjykatë etj./KP