Gjykata detyron AstraZenecan t’i jap BE-së 50 milionë vaksina deri në fund të shtatorit

Gjykata detyron AstraZenecan t’i jap BE-së 50 milionë vaksina deri në fund të shtatorit

NULL NULL
1 month më parë

AstraZeneca dhe Brukseli po pretendojnë se fituan ndaj njëra tjetrës në një proces gjyqësor mbi shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit në vendet e Bashkimit Evropian.

BE dhe AstraZeneca kanë qenë në mosmarrëveshje që kur kjo e fundit njoftoi për herë të parë vonesat në dorëzimin e dozave të saj në bllokun e 27 vendeve, në janar. Andaj, Brukseli ka urdhëruar kompaninë që të dorëzojë 300 milionë doza deri në fund të qershorit, me një mundësi për të blerë edhe 100 milion doza të tjera sipas kontratës së lidhur vitin e kaluar.

AstraZeneca iu ka dhënë vetëm rreth një të tretën e dozave deri më tani, dhe për këtë, BE akuzoi kompaninë për keqbesim dhe për dhënie të përparësisë vendeve të tjera, në veçanti Mbretërisë së Bashkuar, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv

Komisioni tha se Gjykata e Shkallës së Parë të Brukselit ka urdhëruar që AstraZeneca të shpërndajë urgjentisht 50 milion doza të vaksinës deri më 27 shtator 2021, sipas një plani detyrues dhe nëse dështojnë, kompania anglo-suedeze do të paguaj një gjobë prej 10 eurosh për secilën dozë të vonuar.

Blloku pret që kështu të marrë 15 milion doza deri më 26 korrik, 20 milion doza deri më 23 gusht dhe 15 milion doza deri më 27 shtator.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti vendimin, duke thënë se ai konfirmon qëndrimin e Komisionit pasi që AstraZeneca nuk i zbatoi zotimet e bëra në kontratë.

Jeffrey Pott, Këshilltar i Përgjithshëm për AstraZeneca, tha se AstraZeneca ka përmbushur plotësisht marrëveshjen e saj me Bashkimin Evropian dhe se do vazhdojnë të përqendrohen në detyrën urgjente të furnizimit me një vaksinë efektive, të cilën, sipas tij, po e shpërndajnë pa përfitim për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve në Evropë dhe rreth botës.