Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjithçka ndodhi sot nga sulmi në veri ku mbeti i vrarë një polic (VIDEO)

NULL NULL
24.09.2023 06:41

20:11 Viktimizohet Vuçiq: Vrasja e policit nuk iu desh askujt

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po bën adresimin e tij, të parë sot, që nga akti terrorist i ndodhur nga sulmues serbë në Branjskë të Zveçanit në veri.

Ai madje u viktimizua, duke deklaruar se vrasja e policit shqiptar, nuk iu desh askujt, transmeton klankosova.tv.

”Nuk dua ta arsyetoj në asnjë mënyrë vrasjen e policit shqiptar. Kjo është diçka që nuk iu desh askujt”.

Ai po ashtu konfirmoi se raportimet se sulmuesit ishin serbë dhe tre prej tyre janë vrarë, transmeton klankosova.tv.

”Sipas informatave që ne kemi, tre serbë nga Kosova kanë vdekur”.

”Ata kanë vdekur nga zjarri i snajperit. Nga një lartësi e madhe ku nuk kanë pasë nevojë të likuidohen. Frikësohemi se edhe personi i katërt ka vdekur”.

20:02 – Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës flet për gjendjen shëndetësore të sulmuesit serb

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës ka folur në lidhje me gjendjen shëndetësore të sulmuesit serb.

Ajo tha se sulmuesi në Spitalin e Mitrovicës ka qenë më parametra stabil dhe i tillë është nisur edhe për Prishtinë.

“Ai ka ardhur këtu me parametra stabil dhe me parametra stabil është nisur për në Prishtinë dhe atje presim që mos t’i kanoset diçka për jetë. Kemi ekipet tona por i kemi edhe përforcimet nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës që nga orët e hershme të ditës së sotme na kanë ardhur me të gjitha pajisjet në ndihmë. Personi ka pasur plagë nga arma e zjarrit, plagë hyrëse dhe dalëse, në anën tjetër ka pasur edhe një thyerje”, është shprehur ajo.


19:44 – Sulmi në Zveçan: Kurti: I përkrahur politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur rreth sulmeve në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vdekur një pjesëtarë i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë të lënduar.

Ai ka thënë se nga ato që ka mësuar deri tani, bëhet fjalë për një strukturë mercenarë e cila është përkapur politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar, raporton Klan Kosova.

“Urojmë që ky të jetë i fundit në këtë rrugën e vështirë për ligj e për drejtësi”, ka thënë Kurti.

I pyetur për detaje rreth numrit të të arrestuarve, ai ka thënë se është Policia e Kosovës ajo që informon për të dhënat nga terreni.

“Kemi të plagosur dhe 3 të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar. Procesi në vijim do të na japë të dhëna se kush saktësisht janë këta dhe kush janë urdhërdhënësit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e Kosovës”, ka thënë kryeministri.

“Nga ato që kemi mësuar deri më tani që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal i cili ka planifikuar gjatë këtë që kanë kryer sot… Bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është përkrahur, politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar”, ka theksuar kryeministri Albin Kurti.


19:15 – Borrell në telefon me Kurtin dhe Vuçiqin: Sulmuesit të dorëzohen menjëherë

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me sulmet në Zveçan, ku humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Gjatë këtyre bisedave telefonike, Borrell ka përsëritur thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe për lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit, raporton Klan Kosova.

“Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti. Ai dënoi me shprehjet më të forta agresionin e sotëm”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe i uroi shërim të shpejtë policit të plagosur.

Borrell ka telefonuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet tutje në komunikatë.

“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”, thuhet në fund të komunikatës.


19:11 – Sveçla: Policia zbuloi sasi të armatimit për disa qindra sulmues të tjerë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se sasia e armatimit që u zbulua nga Policia e Kosovës, janë pajisje për disa qindra sulmues të tjerë.

Sveçla, këto detaje i dha nga vendi i ngjarjes, ku mbeti i vrarë rreshteri dhe i plagosur një zyrtar tjetër policor.

“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme të armatimit të rëndë këmbësorie eksploziv, logjistikë, ushqime pajisje për barrikada, lirisht mund të themi që ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë”, u shpreh Sveçla.


 19:07 – Sveçla nga vendi i ngjarjes: Pas një numri të betejave, zyrtarët policorë e vunë nën kontroll territorin

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ku mbeti një polic i Kosovës i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

Sveçla, bëri të ditur se pas kësaj zyrtarët e Policisë së Kosovës falë profesionalizimit e vunë gjithë territorin nën kontroll.

Ai gjithashtu potencoi se gjashtë sulmues janë arrestuar, dy nga ta janë të plagosur, raporton Klankosova.tv.

“Vizituam vendin e ngjarjes, ku pak pas orës tre të mëngjesit, grupe të armatosura sulmuan patrullën tonë policore, meqë rast vranë rreshterin tonë Afrim Bunjaku”, u shpreh Sveçla.

“Po ashtu kishim një zyrtarë tjetër të plagosur dhe një të lënduar”.

“Pas kësaj përgjigjja e zyrtarëve policorë të Kosovës ishte e menjëhershme, profesionale për një kohë relativisht të shkurtër e vendosën gjithë këtë territor në kontroll, ajo u bë pas një numri të betejave, ku kishim edhe një zyrtar tjetër të lënduar lehtë”.

“Me këtë rast ne kemi po ashtu gjashtë të arrestuar dy nga ta të plagosur me uniformë të armatusur dhe katër të tjetër me radiolidhje, dhe së paku tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u bërë procedura e identifikimit”.

“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme të armatimit të rëndë këmbësorie eksploziv, logjistikë, ushqime pajisje për barrikada, lirisht mund të themi që ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë”.


19:05 – Përfundojnë sulmet me armë zjarri në Banjskë (VIDEO)

Kanë përfunduar përleshjet me armë zjarri ndërmjet Policisë së Kosovës dhe grupit kriminal serb në Banjskë të Zveçanit.

Gazetari Haris Ademi nga vendi i ngjarjes ka raportuar se sipas informacioneve jozyrtare që ka, konflikti i armatosur ka përfunduar.

Tutje, ai ka bërë të ditur se Policia e Kosovë ka rrethuar manastirin e Banjskës, ku po qëndronin sulmuesit e Policisë.

Nga këto sulme, një pjesëtar i Policisë ka humbur jetën dhe dy të tjera janë larguar. Ndërsa nga ana e sulmuesve deri më tani është konfirmuar se tre prej tyre janë vrarë.


18:55 – Veturat e EULEX-it po largohen nga vendi i ngjarjes në veri (VIDEO)

Veturat e EULEX-it janë duke u larguar nga vendi i ngjarjes në veri të vendit

Më poshtë mund të shihni pamjet e Klan Kosovës, teksa veturat largohen.


18:37 – Kurti u shkon për vizitë familjes së policit të vrarë

Kryeministri Albin Kurti ka arritur në Samadrexhë të Vushtrrisë, tek familja e policit të vrarë Afrim Bunjaku.

Përndryshe, në mëngjesin e sotëm mbeti edhe një polic i plagosur nga sulmi në mëngjes, i njëjti është jashtë rrezikut për jetë, transmeton Klankosova.tv.


17:41 – Ky është postblloku i fundit para vendit të ngjarjes, 1.5 kilometra nga Manastiri i Banjskës (VIDEO)

Klan Kosova ka sjellë pamje të postbllokut të fundit pranë vendit të ngjarjes në veri.

Ai gjendet 1.5 kilometra nga Manastiri i Banjskës.


17:22 – Osmani: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se të gjithë i janë krah Policisë së Kosovës.

Ajo tha se terroristët s’na zmbrapsin, por sipas saj, vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë, përcjell Klankosova.tv.

“Në misionin fisnik, në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të Republikës së Kosovës, jemi të gjithë në krah të Policisë së Kosovës. Të gjithë bashkë me një mesazh: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë!  Faleminderit heronjve tanë në uniformë! Kosova është e përjetshme”, ka shkruar tutje Osmani.


17:19 – Glauk Konjufca shkon për ngushëllime tek familja e policit të vrarë (FOTO)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shkuar për ngushëllime tek familja e policit të vrarë sot në veri.

Ndryshe, polici Afrim Bunjaku është vrarë në fshatin Banjskë të Zveçanit, përcjell Klankosova.tv.

Më poshtë mund të shihni pamje nga Klan Kosova të Konjufcës tek familja e policit të vrarë:

glauk konjufca


17:08 – Katër sulmues serb që u kapën nga policia nga policia dërgohen në stacionin në Mitrovicë të Jugut 

Katër sulmues serb të kapur nga policia e Kosovës janë dërguar në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.

Kështu kanë të ditur burime të Klan Kosovës nga stacioni policor në Mitrovicë të Jugut.

Ndërkaq policia ka bërë të ditur se janë vrarë tre sulmues, një sulmues është arrestuar dhe jan ë arrestuar edhe katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve.

“Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme”.

“Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme”, thuhet në komunikatën e policisë.


17:03 – Sveçla: Zotohemi që lufta për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është zotuar që lufta për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai katë zotim e ka bërë duke kujtuar rreshterin e vrarë sot në Zveçan, raporton Klan Kosova.

“Rreshter Afrim Bunjaku ra sot në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës. Ne zotohemi, që lufta dhe përpjekja e Afrimit dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet”, ka shkruar Sveçla.


16:39 – Policia konfirmon: Tre sulmues të vrarë, një i arrestuar

Policia e Kosovës konfirmon vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme, transmeton klankosova.tv.

Njoftimi i plotë:

”Në zonën e fshatit Banjska situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale.

Veprimet policore po realizohen sipas planifikimeve dhe zhvillimeve në terren, duke u përgjigjur në vetëmbrojtje ndaj sulmeve të adresuara ndaj zyrtarëve policorë, të cilëve po iu rrezikohet jeta e tyre e drejtpërdrejtë.

Sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur.

Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.

Gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme.

Hetimet dhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës”.


16:34 – Von Cramon dënon sulmin në veri: Nevojitet vendosje dhe përforcim i fuqishëm i KFOR-it

Raportuesja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka dënuar sulmin në veri, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

Ajo ëshët shprehur se autorët duhet të sillen para drejtësisë, përcjell Klankosova.tv.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe shpreh solidaritetin tim të plotë me popullin e Kosovës. Sulmi i orkestruar ndaj forcave legjitime të policisë është absolutisht i papranueshëm, autorët e të cilit duhet të sillen para drejtësisë”, u shpreh ai.

Von Cramon ka thënë se nevojitet vendosje dhe përforcim i fuqishëm i KFOR-it.

“Nevojitet de-përshkallëzimi i menjëhershëm duke përfshirë vendosjen dhe përforcimin e fuqishëm të KFOR-it në të gjithë veriun e Kosovës. Pjesëmarrja e mundshme e strukturave serbe (nga Beogradi) duhet të hetohet, ndërkohë që është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të bindin njerëzit e armatosur në Manastirin e Banjskës që të dorëzojnë armët dhe të dorëzohen pa vonesa të mëtejshme”.

“Unë mirëpres në këtë aspekt masat e kujdesshme dhe deskaluese të qeverisë së Kosovës sot, duke shpresuar që të gjithë të qëndrojnë të qetë në çdo pjesë të Kosovës. I shpreh ngushëllimet e mia në emër të Parlamentit Evropian familjes së policit të Kosovës të vrarë sot në detyrë dhe sinqerisht shpresoj në shërimin e shpejtë të të plagosurve”, ka shkruar Von Cramon.


16:32 – Musliu: Janë vrarë gjashtë terroristë

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se janë gjashtë persona të vrarë të grupit kriminal, në Basnjkë të Zveçanit.

Musliu, këto informacione i ndau në në Klan Kosova, duke thënë mes tjerash se është zënë edhe një sasi e konsiderueshme e materialit ushtarak.

“Në një objekt afër kishës janë të vrarë afër gjashtë terroristë, dhe është zënë material i konsiderueshëm ushtarak në një nga objektet ndihmëse të kishës”, u shpreh Musliu.

Ai theksoi se Policia e Kosovë është afër përfundimit të operacionit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar për një sulmues të vrarë.

Përndryshe sot, në orët e hershme të mëngjesit, një polic i Kosovës ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur.


16:32 – Rashiq: Dy sulmues të vrarë, një i plagosur dhe një i arrestuar

Sipas ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dy prej sulmuesve janë vrarë afër Banjskës, një është plagosur dhe një tjetër është arrestuar.

Kështu ai ka thënë për mediumin serb Nova.rs.

Sipas tij, situata rreth manastirit të Banjskës është ende dramatike dhe se nuk ka shenja se do të qetësohet shpejt.

Sipas informacioneve të tij, një pjesë e sulmuesve kanë hyrë në manastir, ndërsa policia i ka bërë thirrje të dorëzohen me megafon. Sipas burimeve nga policia, sulmuesit janë të organizuar mirë dhe dyshohet se janë të armatosur me armë të rënda, armë dhe mortaja.

Sipas informacioneve të Rashiqit, ende nuk dihet kush janë sulmuesit.

“Situata është dramatike. Jam dëgjuar disa herë me Sveçlën, ministrin e policisë. Së fundmi ka dalë lajmi se në atë përleshje kanë mbetur të vrarë disa persona. Mëngjesin e sotëm policia u ka dërguar kërkesë për dorëzim, por nuk ka asnjë komunikim apo kontakt mes dy palëve. Policia thërret me megafon sulmuesit, por nga ana tjetër nuk ka përgjigje. Situata rreth manastirit në fshatin Banjskë është ende dramatike, nuk ka shenja se do të qetësohet së shpejti. Tani për tani është e qetë”, thotë Rashiq për Nova.

Ai thekson se KFOR-i është duke punuar në ndërmjetësim për momentin, në mënyrë që disi të qetësohet situata.

“Ajo diplomaci duhet t’i bindë ose t’i detyrojë njerëzit të dorëzohen sepse askush nuk është i interesuar për gjakderdhje të mëtejshme apo përkeqësim të situatës”, thotë Rashiq.

Bashkëbiseduesi i Nova.rs thekson se sulmuesit ndodhen brenda dhe rreth vetë manastirit.

“Një numër sulmuesish janë brenda vetë manastirit, ndërsa disa rreth vetë manastirit. Tani për tani askush nuk e di se kush janë sulmuesit, përveç se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të organizuar. Nga një burim nga MPB-ja kam dëgjuar se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja. Ky armatim kërkon shumë logjistikë. Kjo është ajo që ne dimë tani për tani. Gjëja më e rëndësishme, siç më thonë Kurti dhe Sveçla, është se ne nuk jemi për përshkallëzimin e mëtejshëm, por për një zgjidhje paqësore të situatës”, thotë Rashiq.

Ai shton se sipas informacioneve nga policia deri më tani janë vrarë dy sulmues, ndërsa të paktën një është plagosur. /Klankosova.tv


 16:17 – MPJ-ja gjermane dënon ashpër vrasjen e policit, njofton se Sarrazin sot vjen në Kosovë

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka reaguar për vrasjen e sotme të policit të Kosovës në pjesën veriore.

Vrasja e tij ka ardhur nga një grup i armatosur e i maskuar kriminal, që dyshohet të jenë serbë, sipas kryeministrit Albin Kurti.

“Dënojmë me termat më të ashpër sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Mendimet tona janë me familjen e oficerit të vrarë dhe të plagosurit rëndë. Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë rrezikimin e jetëve. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”.

“Manuel Sarrazin udhëton për në Kosovë sot”, ka shkruar ministria e Jashtme gjermane.


16:00 – Ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë kryeministrit Kurti (FOTO)

Ambasadorët e QUINT-it i kanë shkuar në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të zhvilluar një takim me të.

Pjesë e këtij takimi kanë qenë ambasadori i ShBA-së, i BE-së, i Britanisë, i Francës, i Gjermanisë si dhe ai i Italisë, përcjell Klankosova.tv.

Më poshtë mund të shihni pamje të disa nga ambasadorëve derisa hynin në ndërtesën e qeverisë:


15:41 – Axha i policit të vrarë në veri: Ndjejmë dhimbje, por edhe krenari, i ndjeri ka shkuar me vullnet në punë

Gani Bunjaku, axha i Afrim Bunjakut, policit të vrarë në veri, tha se ndjejnë dhimbje, por edhe krenari.

Ai u shpreh se i ndjeri ka shkuar me gjithë vullnetin në punë, përcjell Klankosova.tv.

“Ndjejmë dhimbje, por edhe kemi krenari sepse i ndjeri prej që e ka marrë pozicionin e udhëheqjes së stacionit në Zveçan, ai me gjithë vullnetin ka shkuar në punë me mbrojtë atë tokë e me mbisundu ligji në atë pjesë”, u shpreh ai.


15:25 – Varheyli: Dënoj fuqishëm sulmin kundër Policisë, ngushëllime familjes së policit të vrarë

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor dhe një tjetër u plagos.

“Dënoj fuqishëm sulmin kundër Policisë së Kosovës. Dhuna duhet të ndalet menjëherë. I dërgoj ngushëllimet më të thella familjes së policit të Kosovës që vdiq sot në mëngjes dhe i uroj shërim të shpejtë të lënduarve”.

“Mbështesim punën e EULEX-it dhe KFOR-it në terren dhe bëjmë thirrje për hetim të plotë”, deklaroi Varhelyi. /klankosova.tv


15:21 – Në hyrje të Prishtinës vendoset baneri me mbishkrimin: “Të vdesësh për ATDHE është sikur të rilindësh përsëri” (VIDEO)

Me rastin e vrasjes së policit në veri, në hyrje të Prishtinës është vendosur një baner.

Baneri përmbanë mbishkrimin “Të vdesësh për ATDHE është sikur të rilindësh përsëri”, përcjell Klankosova.tv.

Pamje gjatë vendosjes së këtij baneri ka publikuar fotografi i njohur, Marjan Komani.


15:02 – Shefi i EULEX-it: I tmerruar nga sulmi i dhunshëm kundër Policisë së Kosovës

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se është i tmerruar nga sulmi i dhunshëm kundër Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai u ka shprehur ngushëllime të thella familjarëve të policit të vrarë në Zveçan, raporton Klan Kosova.

“Të tmerruar nga sulmi i dhunshëm i sotëm kundër Policisë së Kosovës. Ngushëllimet e mia më të thella familjes së policit të vrarë në krye të detyrës. Iu uroj shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur”, ka shkruar ai.


 14:52 – Shefi i Zyrës së BE-së: Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes së policit të vrarë në veri

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka reaguar ndaj sulmeve të grupeve kriminale në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtarë i Policisë së Kosovës.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai iu ka shprehur ngushëllime të përzemërta familjarëve, kolegëve dhe të dashurve të punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës, raporton Klan Kosova.

“Lexoni deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për sulmin e tmerrshëm nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës. Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes, kolegëve dhe të dashurve të punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës”, ka shkruar Szunyog në Twitter.


 14:41 – Hovenieri i shkon Kurtit në zyrë

Ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, ka qëndruar para pak kohe në ndërtesën e Qeverisë.

Ai ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Vlen të theksohet se në takim nuk kanë qenë ambasadorët tjerë të vendeve të Quint-it.

Takimi, ndonëse nuk është paralajmëruar dhe nuk janë dhënë detaje për të, besohet të ketë ndodhur pas sulmit të mëngjesit të sotëm në veri nga një grup i armatosur kriminal, ku mbeti i vrarë një polic dhe një tjetër mbeti i plagosur.


14:36 – Vritet njëri prej sulmuesve në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vrarë një nga sulmuesit në Banjskë të Zveçanit.

Sipas policisë, pas rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje, policia është detyar t’i kundërpërgjigjet grupeve kriminale “ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, policia tha se situata në veri të vendit, po vazhdon të jetë e tensionuar, ku edhe përkundër sulmeve ndaj tyre, policia po vazhdon angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë.

“Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”, thuhet tutje në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Deri më tani, policia ka mbyllur dy pikat kufitare në veri, atë në Jarinje dhe Bërnjak, teksa ka bërë të ditur se koordinimi i policisë me institucionet vendore e ndërkombëtare po vazhdon.


14:30 – KFOR: Jemi të gatshëm të përgjigjemi nëse kërkohet

Forca paqëruajtëse e NATO-s në Kosovë ka deklaruar se është e gatshme të për t’u përgjigjur nëse kërkohet.

Kjo përgjigje e KFOR-it për Klankosova.tv erdhi pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Dënojmë ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës. I shprehim ngushëllimet më të thella për familjen e të ndjerit”, thuhet në përgjigjen për Klankosova.tv

KFOR po e monitoron situatën në Banjskë dhe janë të pranishëm në terren, përcjell Klankosova.tv

“Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në komunikatë.

______________________________________________________________________________________________________

14:19 – Pas Bërnjakut, mbyllet edhe Jarinja

Polici Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë u vra sot në një operacion policor në fshatin Banjskë të Zveçanit, pasi njësitet policore kishin shkuar për t’i larguar kamionët e vendosur të cilët e kishin bllokuar rrugën.

E përveç tij, i plagosur mbeti edhe një polic tjetër.

Si shkak i këtyre zhvillimeve të tensionuara, në mëngjes u mbyll pika kufitare në Bërnjak.

Ndërkaq, është mbyllur edhe Jarinja, pikë e cila lidh Kosovën me Serbinë.

_________________________________________________________________________________________________

13:52 – Kolegu i policit të vrarë: U sulmuam në mënyrë tinëzare

Afrim Bunjaku, pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë në një sulm të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Për momentin e sulmit ka shkruar Fahri Shala, kolegu i të ndjerit.

Shala tha se u sulmuan në mënyrë tinëzare nga grupet kriminale.

“Vrasja e tij është një humbje e madhe për familjen, kolegët dhe komunitetin në përgjithësi. Ne shprehim solidaritetin tonë me familjen e tij dhe ndjenjat tona më të ngrohta të ngushëllimeve. Ne besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që ata përgjegjës për këtë akt të tmerrshëm do të gjenden dhe do të përballojnë ligjin. Kujtimi i kolegut tim Rreshter Afrim Bunjaku do të vazhdojë të jetë burim inspirimi për të gjithë ne që ndjejmë përgjegjësinë për të vazhduar detyrën tonë zyrtare me integritet dhe përkushtim”, shkroi Shala.

_________________________________________________________________________________________________

13:45 – Lajçak: Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, i ka dënuar sulmet e grupeve kriminale serbe ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka shkruar se dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme, raporton Klan Kosova.

“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është me viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçak.


13:36 – Borrell: Dënojmë ashpër sulmin e bandës së armatosur që vranë një polic në veri

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka reaguar pas vrasjes së një polici në veri dhe plagosjes së një tjetri.

Në reagim, ai thotë se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”.

“Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, tha Borrelli.

Ai tha se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in.

“BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, shkroi Borrelli në reagim.


13:31 – Sveçla: Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke folur për sulmet në veri të vendit, ka thënë se burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se njësitë tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë, raporton Klan Kosova.

“Grupet kriminale të mirë organizuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, pas bllokimit të urës me mjete të rënda dhe pamundësimit të qasjes në fshatit Bajnskë, kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë rreshteri i policisë së rendit Afrim Bunjaku është vrarë, dhe dy të tjerë janë plagosur gjendja e të cilëve është stabile”, ka shkruar ai.

Sipas tij, sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme.

“Njësitë tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë”, ka thënë ai tutje.

“Një numër i tyre janë të barrikaduar brenda manastirit në Banjska edhe sipas deklarimeve zyrtare të Dioqezës Rashkë-Prizren. Këta terroristë janë të rrethuar nga njësitë policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”.

Ai iu ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Rreshterit Afrim Bunjaku dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.


13:02 – Zëvendësdrejtori i policisë: Jemi në koordinim me KFOR-in

Zëvendësdrejtori i policisë Fehmi Hoti, ka thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in.

Ai këtë deklarim e bëri në një konferencë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, rreth situatës në veri pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

“Ndërsa sa i përket pyetje sa i përket ligjshmërisë se “A kemi të drejtë apo nuk kemi të drejtë, hetimet do ta tregojnë nëse Manastiri është përdorur si strehë e grupeve të organizuar. Nëse ka elemente të veprës penale që janë përdorur brenda, do të jenë pjesë e vazhdimisht të hetimeve, do të marrim edhe urdhër të gjykatës përkatëse”, tha Hoti.

______________________________________________________________________________________________________

12:53 – Kurti: Nuk e di pse s’ka reaguar BE-ja, jam në kontakt me ambasadorin e ShBA-së

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se nuk e di pse nuk ka reaguar ende Bashkimi Evropian, lidhur me situatën në veri ku u vra një polic i Kosovës.

Ai në një konferencë për media tha se është në kontakt më ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Amerikës Jeffrey Hovenier.

“Do të vendosi kontakt edhe me ambasadorin e BE-së Tomasz Szunyog këtu. Unë besoj që pas këtyre fakteve, pas këtyre të dhënave nuk ka askush dilema se ku ndodhemi sot dhe çfarë rreziku kemi, jo vetëm në Banjska. Nuk bëhet fjalë për fshatarë, por për profesionistë të armatosur që kanë ardhur për ta destabilizuar Kosovën”, tha Kurti.

_________________________________________________________________________________________________

12:42- Kurti iu bën thirrje sulmesve që të dorëzohen

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media rreth situatës në veri ku edhe u vra një polic i Kosovës sot.

Kurti iu bëri thirrje sulmuesve që të dorëzohen.

“Unë iu bëj thirrje që të gjithë atyre edhe si formacion edhe si individë që t’i dorëzohen organeve të sigurisë, të cilët kanë vendosur perimetrin rreth atyre në Banjskë”, tha Kurti.

Ai theksoi se të barrikaduar brenda Manastirit kanë mbetur 30 persona, të cilët janë të armatosur me armë jo të zakonshme, të cilat nuk i takojnë organeve të sigurisë së Kosovës.

Këta persona i ngjajnë një formacioni i cili ka ardhur të luftoj në Kosovë.

I pari i ekzekutivit shtoi se këta posedojnë edhe zolla edhe autoblinda të stacionuar para Manastirit.


12:42 – Rama për vrasjen e policit: Këmbana më e madhe e alarmit për rrezikun e eskalimit të krizës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vrasjes së policit në veri të Kosovës.

Ai në një postim në rrjetet sociale ka thënë se tragjedia e humbjes së jetës së policit është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur.

“Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”.

“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit”.

“Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, shkruan ai në Twitter, transmeton Klankosova.tv.


12:53 – Dioqeza Rashkë-Prizren konfirmon se një grup i armatosur ka hyrë në Manastirin e Banjskës

Dioqeza Rashkë-Prizren ka konfirmuar se një grup personash, të maskuar e të armatosur, kanë sulmuar Manastirin e Banjskës.

Sipas njoftimit të dioqezës, thuhet se ky grup është futur në manastir me një automjet të blinduar dhe se grupi i personave të maskuar e të armatosur po lëvizin nëpër oborrin e manastirit.

“Dioqeza është shumë e shqetësuar pasi sipas informacioneve të fundit, një grup personash të armatosur, të maskuar kanë sulmuar Manastirin e Banjskës me një automjet të blinduar, duke hyrë në portën e mbyllur të manastirit. Aktualisht në manastir ndodhet një grup pelegrinësh nga Novi Sadi së bashku me igumenin At Danilon me vëllazëri monastike. Për siguri, vëllazëria dhe pelegrinët e manastirit janë mbyllur brenda dhe tempulli i manastirit është gjithashtu i mbyllur. Njerëz të maskuar të armatosur lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna armësh”, thuhet në këtë njoftim.

Dioqeza ka thënë se e “dënon ashpër” dhunën e hapur që po ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, “duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i japin fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur”.

Dioqeza Rashkë-Prizren e ka dënuar sulmit e sotëm, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë mbetën të lënduar.

“Dioqeza Rashkë-Prizren dënon ashpër sulmin e fundit të mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës, afër fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër u plagos. Ky është një incident i rëndë që mund të ketë pasoja të mëdha dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të bëhet gjithçka për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Dioqeza u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të policit të vrarë dhe sinqerisht shpreson që dy të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, ka thënë Dioqeza Rashkë-Prizren në njoftimin për media pas sulmit të sotëm në veri. /Klankosova.tv


12:29 – Reagon Begaj për vrasjen e policit: Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka reaguar pas vrasjes së policit në veri të Kosovës.

Ai duke dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës, tha se ky akt i organizuar kriminal është cënim i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor”

“Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, shkroi Begaj në Facebook.

Ndër të tjera i pari i shtetit shqiptar shprehi ngushëllime për familjen e policit të vrarë, dhe ka uruar shërim të shpejtë për policin e plagosur dhe të lënduarin, raporton Klankosova.tv


12:27 – Ambasadori francez në Kosovë: Autorët e sulmit duhet të arrestohen e sillen para drejtësisë

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar për vrasjen e policit të Kosovës në veri të vendit nga bandat kriminale.

Guerot tha se sulmi i mbrëmshëm ndaj Policisë së Kosovës është i papranueshëm.

“Mendimet e mija janë me familjarët e viktimës. Autorët e këtij sulmi duhet të arrestohen dhe sillen para drejtësisë”, shkroi Guerot, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se përveç policit të vrarë, një tjetër ka mbetur i plagosur, ku gjatë mëngjesit të sotëm operacioni pati sukses për t’ia larguar predhat.


12:09 – Reagon ambasadori italian: Përgjegjësit për vrasjen e policit duhet të sillen para drejtësisë

Për vrasjen e policit në veri të vendit, ka reaguar edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili i dënoi sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

De Riu tha se përgjegjësit e këtyre sulmeve duhet të sillen para drejtësisë.

“Ata që janë përgjegjës për aksionin e vrasjes duhet të sillen para drejtësisë. Shpreh ngushëllimet më të thella për të dashurit e policit të ndjerë”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane, transmeton Klankosova.tv.


12:04 – Shefi i OSBE-së në Kosovë: Autorët e këtyre krimeve duhet të sillen menjëherë para drejtësisë

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit, duke e dënuar me gjuhën më të ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

Davenport tha se autorët e këtyre krimeve, të cilat ai i quajti të neveritshme, duhet të sillen menjëherë para drejtësisë.

“Dënoj me gjuhën më të ashpër të mundshme sulmin brutal të mëngjesit të sotëm mbi Policinë e Kosovës, ku një oficer mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos. Paqja duhet të rivendoset dhe dialogu në interes të të gjitha komuniteteve duhet të vazhdojë”, tha Davenport, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se të shtënat me armë zjarri po vazhdojnë ende në veri të vendit.


11:52 – Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë (VIDEO)

Këshilli i Sigurisë ka përfunduar mbledhjen që filloi në ora 10:00, ku janë parë duke dalë nga objekti disa prej ministrave që me ligj iu takon të marrin pjesë në këto mbledhje.

Nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë janë parë duke dalur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiun e edhe shefin e Stafit të Kabinetit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Blerim Vela.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, i shoqëruar nga komandanti i Ushtrisë së Kosovës, Bashkim Jashari.

Më herët në Këshillin e Sigurisë ka qenë i pranishëm edhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, i cili e ka lëshuar mbledhjen me herët, ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është zëvendësuar nga zëvendësi i tij, pasi vetë nuk ka qenë i pranishëm.

Aktualisht, mbledhja e Këshillit të Sigurisë po vazhdon vetëm me krerët më të lartë të mbrojtjes, mes kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.


11:37 – Zhvillimet në veri, qeveria mban konferencë

Qeveria e Kosovës në ora 12:00 do ta mbajë një konferencë për media, pas zhvillimeve të ditës së sotme ku i vrarë mbeti një polic.

Viktima Afrim Bunjaku, u vra gjatë një operacioni policor në fshatin Banjskë e Zveçanit, ku njësitet policore kishin shkuar për t’i larguar disa kamionë që kishin bllokuar rrugën Mitrovicë-Leposaviq.

E pos tij, u plagos edhe një polic tjetër.

_________________________________________________________________________________________________

11:22- Kryetari i Vushtrrisë: Grupet kriminale dhe terroriste ende po veprojnë në veri (VIDEO)

Kryetari i komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, ka shkuar për ngushëllime në familjen e Afrim Bunjakut, policit të vrarë sot në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Idrizi tha se grupet kriminale dhe terroriste ende po veprojnë në veri.

“Familja e ka mërzinë, por e ka edhe forcën e shpirtit sepse janë të vetëdijëshëm se sovraniteti, si në këtë rast mbrohet me gjak”, tha Idrizi.

Përpos vrasjes së policit në veri, gjatë operacionit policor u plagos edhe një tjetër.

Polici i ndjerë barte gradën e rreshterit dhe është nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë./ Klankosova.tv


11:21- UNMIK-u dënon sulmin në veri: Autorët e tij të mbajnë përgjegjësi

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që autorët e sulmit në veri ku u vra një polic të mbajnë përgjegjësi.

“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e saj të thella për humbjen e jetës së një polici të Kosovës dhe dënon pa mëdyshje këtë incident tragjik në termat më të ashpër”.

Ajo njëherit i ka uruar shërim të shpejtë poilicëve të lënduar, transmeton Klankosova.tv.

Më tutje, në një njoftim për media të UNMIK-ut, theksohet se ky mision  po monitoron nga afër situatën dhe u kërkon të gjitha palëve të përmbahen.

______________________________________________________________________________________________________

10:54 – Rohde për vrasjen e policit: Autoret duhet të dalin para drejtësisë – sundimi i ligjit duhet të zbatohet

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas vrasjes së një polici në veri, duke thënë se autorët e këtij sulmi duhet të dalin të dalin para drejtësisë.

Rohde tha se e mbështet plotësisht deklaratën e homologut të tij amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili më herët tha se ShBA-ja i dënon sulmet e orkestruara ndaj policisë.

“Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë. Ngushëllimet e mia të përzemërta shkojnë për familjen e policit të vdekur dhe për policët e plagosur të Policisë së Kosovës”, shkroi Rohde, transmeton Klankosova.tv.


10:31 – Hovenier: ShBA-ja i dënon ashpër sulmet e orkestruara ndaj policisë në veri – autorët duhet e do të dalin para drejtësisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-ja i dënon ashpër sulmet e dhunshme dhe të orkestruara ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm.

Hovenier tha se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, tha Hovenier, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Hovenier tha se ShBA-ja e vlerëson koordinimin e vazhdueshëm në mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.


10:03 – Kurti viziton policin e plagosur në spital, mbledh Këshillin e Sigurisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka vizituar policin Alban Rashiti, i cili u plagos sot në orët e hershme të mëngjesit.

Kurti tha se me sukses është kryer heqja e predhës së një granate.

Ai tha se polici Alban Rashiti, do të lirohet nga spitali.

Kreu i qeverisë bëri me dije se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit”, tha Kurti.


10:00 – Krasniqi pas vrasjes së policit: Sulm direkt kundër Kosovës – të gjithë ta dënojnë fuqishëm

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së policit të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri, ku tha se në këto momente të dhembjes, qëndrojnë të bashkuar krah policëve të vendit.

Krasniqi tha se përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, Policia e Kosovës po e mbron sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të vendit.

“Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë për të marrë dënimet meritore”, tha Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai apeloi tek qytetarët për vigjilencë e vetëpërmbajtje, pasi sipas tij, përshkallëzimi i situatës në veri i konvenon vetëm Serbisë e bandave kriminale nën kontrollin e saj.

“Po ashtu, ftoj partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës”, tha Krasniqi.


09:56 – Polici i plagosur në veri, flet mjeku: Është jashtë rrezikut për jetë – është plagosur në krahun e majtë

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci , tha se polici që mbeti i plagosur në Banjskë të Zveçanit, është jashtë rrezikut për jetë.

Kolgeci në një përgjigje për Klankosova.tv tha se polici është i plagosur në krahun e majtë, po ashtu ka një plagë shumë të lehtë në këmbën e djathtë.

“Gjendja e pacientit është stabile, presim me qenë e tillë edhe në të ardhmen. Unë mendoj se e ka kaluar rrezikun për jetë, për arsye se nuk ka plagë në organe vitale”, tha Kolgeci për Klankosova.tv.

Polici i plagosur në QKUK është dërguar rreth orës gjashtë të mëngjesit, teksa një zyrtar tjetër i policisë ka mbetur i vrarë në orët e para të mëngjesit në veri të vendit.


08:42 – Shefi i Stafit të Osmanit: Persona të unfiromuar të Serbisë janë futur 15 kilometra brenda Kosovës, Vuçiq do të dështojë

Shefi i Stafit në Kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se persona të uniformuar të Serbisë me automjete të blinduara janë futur 15 kilometra brenda territorit të Kosovës.

Vela tha se presidenti serb, Alekasandar Vuçiq “i është drejtuar një agresioni të paparë ndaj Kosovës. Ai do të dështojë”, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se mëngjesin e sotëm, një polici i Kosovës ka mbetur i vrarë pas sulmeve që u bënë ndaj tyre nga grupe të armatosura me zollë, granata dore e armë zjarri.


08:28 – Vrasja e policit në veri, reagon Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vrasjes së policit në veri.

Ai në në postim në Facebook ka shkruar se sulmi i sotëm është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

“Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”.

“Ftoj organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë, përgjegjësit e këtij akti. Rendi dhe ligji s’ka alternativë!”

“Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për policin e plagosur!”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv


08:26 – Konjufca për vrasjen e policit: Sulm i strukturave të drejtuara nga Serbia – ShBA-ja e BE-ja ta dënojnë këtë agresion

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit, për të cilin tha se është sulm terrorist i strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.

Konjufca tha se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, veprimeve për rend e ligj por edhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit.

“Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, tha Konjufca, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai kërkoi që autorët e këtij krimi urgjentisht të sillen para drejtësisë, teksa ftoi institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë.


08:20 – Policia tregon si erdhi deri te vrasja e zyrtarit policor: U gjuajtëm me zollë, granata e armë – sulmet po vazhdojnë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje se si erdhi deri te momenti ku mbeti i vrarë një polic e u plagos një tjetër në veri të vendit.

Sipas policisë, gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë të Veriut, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy kamionë pa targa, ku me çrast është bllokuar hyrja në këtë fshat.

“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në reagimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, policia tha se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

“Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në reagim.

Më tej, policia tha se ata kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara e të armatosura.


08:01 – Polici i vrarë mbërriti pa shenja jete në spital – kështu erdhi deri te shkëmbimi i zjarreve në veri (VIDEO)

Polici i vrarë dhe ai i plagosur së pari janë dërguar në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës, ku sipas gazetarit Haris Ademi, polici tashmë i vrarë ka mbërritur pa shenja jete në spital.

Sipas të dhënave ende të pakonfirmuara, deri te shkëmbimi i zjarreve ka ardhur pasi thuhet se një grup i armatosur e kanë bllokuar magjistralen që shpie nga Mitrovica për në Leposaviq dhe e kanë sulmuar me armë veturën zyrtare të policisë, në të cilën gjendeshin policët e Kosovës.

Grupi sulmues është fshehur për në Manastirin e Banjskës dhe ende ka të shtëna armësh mes tyre dhe policisë së Kosovës.

Ndërsa, zyrtari i plagosur është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim të mëtutjeshëm.


07:39 – Osmani për vrasjen dhe plagosjen e një polici në veri: Sulm ndaj Kosovës – e orkestruar nga Serbia

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një polici të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit nga bandat kriminale.

Osmani tha se vrasja dhe plagosja e një polici në veri është e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, teksa e quajti sulm ndaj Kosovës.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”.

“Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ajo tha se pret që aleatët e Kosovës ta mbështesin vendin në përpjekjen për të vendosur rend e ligj në çdo pjesë të Republikës.

“Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë”.

“Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë”.

“Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, tha Osmani.


07:33 – Kurti konfirmon vrasjen e policit në veri: Gjuajtjet po vazhdojnë ende

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka konfirmuar raportimin e Klan Kosovës për vrasjen e një polici në fshatin Banjskë të Leposaviqit.

Kurti tha se edhe një polic tjetër është plagosur.

Kurti tha se ende po vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, tha ai.


07:00 – Ky është polici i cili mbeti i vrarë në veri

Një polic është vrarë dhe të paktën dy janë plagosur në fshatin Banjskë në veri.

Burimet e Klan Kosovës bëjnë me dije se polici i vrarë është Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë.

I ndjeri sipas të njëjtave burime mbante gradën e rreshterit.

Klankosova.tv do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin/Klankosova.tv

_________________________________________________________________________________________________

Një polic është vrarë e të paktën dy të tjerë janë plagosur në veri.

Burimet ende të Klan Kosovës të pakonfirmuara  zyrtarisht bëjnë me dije se rasti ka ndodhur në fshatin Banjskë.

Sipas të njëjtave burime, persona të uniformuar e kanë bllokuar rrugën Mitrovicë- Leposaviq me dy kamionë, dhe kanë shtënë në drejtim të  automjetit policor.

Polici i vrarë dhe të plagosurit janë dërguar në spitalin e Mitrovicës, njofton Klankosova.tv

Gjithnjë sipas burimeve sulmuesit janë barrikaduar në një objekt fetar në Banjskë.

Klankosova.tv ka kontaktuar me policinë por deri në këto momente s’ka marrë përgjigje/Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.