Lajmet e fundit

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova po përballet me një krizë serioze politike dhe ekonomike.
Në një konferencë për media, Gjini tha se vendi ndodhet në “depresion ekonomik”, ndërsa akuzoi pushtetin për politika që, sipas tij, po i rrezikojnë ndërmarrjet vendore.
“Kosova është në krizë serioze, është në depresion ekonomik. Ndërmarrjet tona janë gati të mbyllen për shkak të politikave të prishura”, tha Gjini.
Ai kritikoi gjithashtu procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se deputetëve të zgjedhur nuk po u mundësohet marrja e mandatit.
“Ky pushtet, në mënyrën më brutale dhe më të paligjshme, nuk po i lejon 120 deputetëve të zgjedhur nga populli ta marrin mandatin”, u shpreh ai.
Sipas Gjinit, bllokimi i konstituimit të Kuvendit përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe të demokracisë.
“E kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo është ndër shkeljet më brutale të rendit kushtetues dhe të demokracisë. Nuk besoj se dikush mban mend diçka të tillë, veç në vitin 1989, fatkeqësisht më duhet ta them”, deklaroi Gjini./Klankosova.tv