Gjilani shpërblehet nga Asociacioni i Komunave dhe GIZ - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjilani shpërblehet nga Asociacioni i Komunave dhe GIZ

NULL NULL
16/06/2015
Asociacioni i Komunave të Kosovës, në kuadër të skemës BEACON (shkëmbimi i përvojave më të mira në mes të komunave në fushën e shërbimeve publike) dhe në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ, ka zgjedhur sot Gjilanin si Komunën më të mirë në shërbime publike dhe menaxhim të hapësirave të gjelbra në nivel të Republikës.

Çmimin e ka pranuar sot në ceremoninë në Prishtinë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nga udhëheqësi i Programit të GIZ “Modernizimi i Shërbimeve Komunale”, Kai Hoffmann.

Kryetari Haziri pasi ka falënderuar Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe organizatën GIZ për vlerësimin e dhënë, tha se ky çmim është edhe një motiv shtesë për të vazhduar me punë të mira në shërbim të qytetarëve të Gjilanit dhe në vazhdimin e krijimit të hapësirave gjelbëruese.

Kreu i gjilanasve pohoi se Komuna i ka kushtuar rëndësi shumë të madhe përmirësimit të këtyre sektorëve, sikurse edhe sektorëve tjera për t’iu shërbyer qytetarëve në mënyrën me të mirë.

Ndryshe, nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, Gjilani ka marrë disa çmime vendore e ndërkombëtare, ndërsa duhet përmendur se  javë më parë Komuna e Gjilanit ka marrë çmimin “The best City Model Aëard” nga IME, në panairin Ndërkombëtar “Investment Management Exhibition” që u mbajt në Cyrih të Zvicrës.