Lajmet e fundit

Gjermania ka testuar me sukses një raketë balistike izraelite në Atlantikun e Veriut gjatë natës, njoftuan të mërkurën zyrtarë ushtarakë.
Testimi vjen në një kohë kur fuqitë perëndimore po përpiqen të sigurojnë armë me rreze të gjatë veprimi për t’iu kundërvënë asaj që e konsiderojnë kërcënim në rritje nga Rusia.
Sipas zyrtarëve, bëhet fjalë për raketën "LORA", të prodhuar nga kompania izraelite "Israel Aerospace Industries (IAI)".
Testimi u krye disa orë pasi Berlini akuzoi publikisht Rusinë për një përpjekje për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle muajin e kaluar dhe urdhëroi masa në përgjigje të incidentit, shkruan Reuters, transmeton klankosova.tv.
Gjermania aktualisht nuk ka raketa balistike, të cilat lëvizin me shpejtësi shumë më të madhe se raketat e saj të lundrimit.
Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, sistemi i prodhuar nga Izraeli ka rreze veprimi deri në "500 kilometra".
Berlini është përfshirë në disa bashkëpunime shumëkombëshe për zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, ndërsa po shqyrton edhe mundësinë e blerjes së armëve të tilla.
Shefi i Marinës gjermane, Jan Christian Kaack, tha se testimi ishte i suksesshëm.
“Njësitë tona mund ta përdorin me sukses këtë sistem dhe rrezja e tij e mundshme e veprimit tejkalon gjithçka që kemi parë më parë”, tha Kaack.
Ai shtoi se testi shënon “një kapitull të ri në parandalimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen detare” të Gjermanisë dhe aleatëve të saj.
Gjermania po punon gjithashtu për një version të përmirësuar të raketës së saj të lundrimit "Taurus" cila aktualisht është arma e vetme gjermane me rreze veprimi prej disa qindra kilometrash. Prodhimi i versionit të ri pritet të nisë në vitin 2029.
Raketa e përmirësuar, e njohur si Taurus NEO, do të ketë rreze më të madhe veprimi, mbrojtje më të mirë kundër ndërhyrjeve elektronike, si dhe përmirësime në sistemet e navigimit dhe teknologjinë e kokës së kërkimit, sipas një dokumenti të buxhetit.
Forcat gjermane kanë rreth 600 raketa Taurus në arsenalin e tyre, me rreze zyrtare veprimi prej më shumë se 500 kilometrash. Ato mund të lëshohen nga avionë luftarakë si Tornado, F-15 dhe F-18.