Lajmet e fundit

Dy persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar, pasi një autobus udhëtarësh është përmbysur në autostradën A96, pranë Buchloe në Gjermani.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit, në drejtim të Mynihut. Sipas policisë gjermane, në autobus ndodheshin rreth 50 persona, pjesë e një grupi turistësh me shtetësi filipinase.
Një person ka humbur jetën në vendin e aksidentit, ndërsa një tjetër, i cili fillimisht ishte në gjendje të rëndë, ka vdekur më vonë në spital, shkruan Bild, përcjell Klankosova.tv.
Një person tjetër është në rrezik për jetën, ndërsa ka edhe disa të lënduar, përfshirë persona me lëndime të rënda.
Sipas policisë, pasagjerët po udhëtonin nga Milano drejt Mynihut, ku synonin të merrnin pjesë në festivalin Oktoberfest.
Autobusi, i regjistruar në Itali, ka dalë nga rruga në anën e djathtë pa u përplasur me ndonjë automjet tjetër dhe ka përfunduar në një terren të pjerrët pranë autostradës.
Pjesa e përparme e autobusit është dëmtuar rëndë.
Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen. Prokuroria ka angazhuar një ekspert për të rindërtuar rrethanat e aksidentit, ndërsa në vendngjarje kanë dalë rreth 250 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës.
