Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjeneralët mirëpresin deklarimin e Hovenierit: FSK-ja e gatshme për anëtarësim në NATO

NULL NULL
nga Njomza Pllana 15.03.2023 20:32

Mbështetja amerikane për anëtarësimin e Kosovës në NATO do të shtohet në rast se të shtunën në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, arrihet marrëveshje.

Kështu deklaroi të mërkurën ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, teksa sipas tij, me arritjen e kësaj marrëveshjeje, Kosova do të dëshmonte që suksesshëm ka arritur të kontribuojë në këtë drejtim, njofton Klankosova.tv.

“Për vite me radhë, ShBA-ja e ka shprehur vizionin e saj dhe ai është që Kosova të zë vendin e saj në familjen evropiane dhe në NATO. Vizioni ynë është i qartë, që Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s dhe kjo është çështje se si të arrihet deri aty”, tha Hovenier në një takim me gazetarë gjatë ditës së sotme.

E ish-ushtarakët e Ushtrisë së Kosovës e kanë mirëpritur këtë deklarim teksa njëzëri thonë se FSK-ja është e gatshme profesionalisht e ushtarakisht që të hyjë në NATO.

Gjenerali Xhevahir Geci, në një prononcim për Klankosova.tv tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është moti kohë e gatshme që të bëhet pjesë e NATO-s, madje vlerëson se e ka dëshmuar shumë herë që qëndron më mirë se shumë ushtri të rajonit.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është çdo herë e gatshme për anëtarësim në NATO për sa i përket përgatitjeve profesionale, është shumë më e përgatitur sesa shumë ushtri në rajon dhe në vazhdimësi është përgatitur për anëtarësim. Ushtarakët tanë janë më të mirët në shkollim ku në vazhdimësi kanë pasur mbështetje për shkollim nga akademitë më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Kroaci, Turqi dhe Shqipëri”, u shpreh Geci për Klankosova.tv.

Mes tjerash, ai thotë se ka besim të plotë që FSK-ja ka të gjitha përgatitjet e duhura që të jetë pjesë e NATO-s, teksa shton se shkollimin dhe përgatitjet që kanë oficerët e Ushtrisë së Kosovës nuk i kanë shumë nga ushtritë anëtare.

“Kam besim të plotë që në momentin që jepet drita jeshile për anëtarësim, FSK-ja do të hyjë në gjirin e shteteve anëtare të NATO-s. Po ashtu kam besim që FSK-ja është e gatshme profesionalisht dhe ushtarakisht që të bëhet pjesë e aleancës – madje oficerët që i ka Ushtria e Kosovës nuk i kanë shumë shtete anëtare, pasi përgatitja e tyre është shumë e lartë”, tha Geci.

Xhevahir Geci

Se anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të përshpejtohet dhe se FSK-ja është e gatshme për këtë hap, e tha edhe gjenerali Kadri Kastrati.

Edhe Kastrati njësoj si Geci mendon se oficerët e FSK-së janë më të përgatitur profesionalisht në raport me oficerët e ushtrive të rajonit.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të përshpejtohet pas sinjaleve që erdhën së fundmi ku kryediplomati grek vizitoi Kosovën, po ashtu u raportua se Rumania dhe Sllovakia do ta njohin shtetësinë e Kosovës dhe se Spanja do të hapë zyrë ndërlidhëse çka nënkupton njohjen e pasaportave kosovare – pas kësaj s’ka më asnjë pengesë për anëtarësim”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme 100 për qind, madje edhe shumë më e avancuar në aspektin profesional të oficerëve dhe pjesëtarëve në raport me shumë vende të rajonit. Këtë e ka dëshmuar në vazhdimësi duke u trajnuar përkrah ushtrive më të mira në botë, ku edhe në njëri nga ushtrimet më të mëdha fushore ‘Defender-Europe’23’ FSK-ja do të marrë pjesë me mbi 1000 pjesëtarë dhe është nikoqire e këtij ushtrimi”, u shpreh Kastrati.

Kastrati, mes tjerash, shton se me anëtarësim të FSK-së në NATO, siguria në vend do të jetë e plotë. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.