Gërvalla: Është e nevojshme që Serbia të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve NULL NULL 24.03.2023 22:29 24.03.2023 22:29 Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur rreth takimit të fundit Kosovë-Serbi në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për mediumin portugez “Diario de Nolicias”, kryediplomatja kosovare, ndër të tjera është shprehur se ende nuk ka një marrëveshje me Serbinë, transmeton KlanKosova.tv. Gërvalla është shprehur është e nevojshme që Serbia të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve. Intervista e plotë: Çfarë kuptimi ka marrëveshja e fundit me Serbinë e shpallur nga Bashkimi Evropian? E di që presidenti i Serbisë tha se do ta respektonte zotimin, por nuk do ta nënshkruante zyrtarisht. A sjell marrëveshja ndryshime efektive në paqen e Kosovës? Gërvalla: E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë. Ne ishim dy herë, një herë në 27 shkurt dhe më pas fundjavën e kaluar, gati për një marrëveshje, me garancionet që partnerët dhe aleatët tanë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara na dhanë për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çuditërisht Serbia s’ishte gati për këtë. Ata thjesht vazhdojnë lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve të ndryshme dhe më pas, kur vjen koha për nënshkrim, refuzojnë. Është për të ardhur keq që BE-ja po e bën të mundur këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson. E di që gjithmonë ka dallim nëse marrëveshja nënshkruhet apo jo, por ka deklarata të presidentit serb se do ta zbatojë marrëveshjen, duke mos e kundërshtuar, për shembull, anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. A nuk është kjo e rëndësishme për Kosovën? A ju duhet vërtet Aleksandar Vuçiq për të nënshkruar? Gërvalla: Ne kemi nevojë që Serbia të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve tona. Normalizim do të thotë sjellje normale, respektim i fqinjit dhe moskërcënim ndaj fqinjit me luftë dhe pasoja të tjera. Prandaj është kaq e vështirë me Serbinë, ata ulen në tryezën e bisedimeve, premtojnë dhe pastaj vjen një Serbi krejtësisht tjetër kur bëhet fjalë për zbatimin e këtyre premtimeve. Kësaj radhe Serbia as që nënshkroi, kështu që nuk jam optimiste për të pritur ndryshime në javët apo muajt e ardhshëm Nga ana e Kosovës ka një përkushtim se do të respektojnë një lloj autonomie për minoritetin serb. A është kjo një çështje paqësore brenda qeverisë së Prishtinës? Gërvalla: Pakicat në Kosovë janë të garantuara në Kushtetutën tonë. Mendoj se e dini se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shumë e re dhe është produkt i një përpjekjeje ndërkombëtare për të bërë një kushtetutë moderne, pro-evropiane dhe shumë demokratike. Nuk do të gjeni në asnjë vend tjetër të Evropës të drejta kaq të thella dhe të gjera të minoriteteve të garantuara me kushtetutë. Sa për të dhënë një shembull, për pakicën serbe ka gjithmonë garanci, kanë vend në qeveri, pavarësisht nëse kanë marrë vota të mjaftueshme apo kanë qenë të suksesshëm në zgjedhje. Të gjitha qeveritë në Kosovë kanë një vend të garantuar për pakicat dhe njëra prej tyre është për minoritetin serb. Një shembull tjetër është se për 15 vjet ekziston një paketë e ligjeve bazë, ligje jetike, siç quhen, ku është për shembull arsimi. Tash e 15 vjet serbët në parlament po e bllokojnë atë, pasi kanë të drejtën e vetos në këtë paketë jetike të ligjeve, ligjin për arsimin e lartë. Ligji ka të bëjë me fëmijët tanë, jo me politikën. Prandaj, nuk ka nevojë për të drejta shtesë. Gjithçka që mund të diskutohet në Bruksel mund të jetë më pak se ajo që është në Kushtetutën tonë, prandaj mendoj se i gjithë diskutimi për të drejtat e pakicave në Kosovë është një debat për të shkëputur vëmendjen nga problemi i vërtetë, që është agresiviteti i Serbisë ndaj gjithë fqinjëve e saj, jo vetëm Kosovës. Nëse shikojmë Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe shohim qasjen dhe mënyrën se si ata sillen me ta, si përpiqen të ndikojnë, për shembull, në punët e brendshme në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë. Duhet të shohim pamjen e plotë dhe jo vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbia dhe Kosova kanë interes për anëtarësim në Bashkimin Evropian. A ndiheni optimist për mundësinë që dy vendet të kenë sukses për t’u anëtarësuar në BE apo pa nënshkrimin e Serbisë në një marrëveshje të tillë, a mund të jetë ky ende një qëllim i largët? Gërvalla: Më lejoni të jem shumë e hapur dhe e sinqertë për këtë. Kjo udhëheqje serbe nuk është aspak e interesuar ta çojë vendin në BE. E tregojnë dhe e deklarojnë këtë çdo ditë. Nëse shikojmë sondazhet, shohim se edhe njerëzit në Serbi, shumica prej tyre, nuk janë pro anëtarësimit të Serbisë në BE. Çfarë do të thotë kjo për rajonin? Kjo do të thotë që të gjitha vendet që po përparojnë, për shembull Kosova po bën përparim të madh në çështjet e sundimit të ligjit sipas standardeve evropiane, të gjitha do të duhet të presin derisa Serbia, e cila u shërben interesave të Rusisë, të ndahet nga Rusia. Ose a ka ndonjë mënyrë për ata që plotësojnë kushtet për të hyrë në Bashkimin Evropian? Besoj se edhe BE-ja nuk është shumë e sinqertë në ofertën që i bën Ballkanit Perëndimor për integrim dhe kjo është pjesë e problemit. Nëse oferta nuk është e sinqertë, atëherë përpjekjet e rajonit nuk do të konsiderohen të mjaftueshme. Ju përmendët Rusinë dhe e di që ka lidhje të veçanta historike midis Rusisë dhe Serbisë. A po ndikon lufta në Ukrainë në ndonjë mënyrë në Kosovë? Gërvalla: Kosova ka treguar që nga dita e parë se e kupton atë që po ndodh në Ukrainë dhe ne mbështesim popullin ukrainas në këtë luftë brutale që Rusia po bën kundër Ukrainës. Ne u përpoqëm të ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë me të gjitha aftësitë tona. Për momentin kemi 12 gazetarë ukrainas në programin rezidencial gazetaresk që punojnë nga Kosova. Kjo jo vetëm që i ndihmon kosovarët të kuptojnë më mirë se çfarë po ndodh në Ukrainë, por gjithashtu ndihmon Evropën të kuptojë më mirë se çfarë po ndodh atje sepse, siç e dini, lajmet e rreme dhe dezinformatat janë të pranishme jo vetëm në Ballkan, por edhe në mbarë Evropën. Pra, Serbia që nga dita e parë ka qenë në anën e gabuar. Është i vetmi vend evropian që mbështet Rusinë në këtë luft, në vitin 2023. Kjo duhet të bëhet e qartë, t’u bëhet e qartë partnerëve dhe miqve tanë, në mënyrë që ata të kuptojnë se përderisa ne e lejojmë Serbinë të mos flasë për thelbin e problemit, që është besnikëria dhe mbështetja që Serbia po i tregon, jo Evropës por Rusisë duke e mbështetur ekonomikisht dhe financiarisht, politikisht dhe ushtarakisht Rusinë në këtë luftë kundër Ukrainës, asgjë nuk mund të zgjidhet. Ky është thelbi i problemit, të gjitha diskutimet e tjera për Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi janë vetëm për të larguar vëmendjen nga problemi thelbësor, që është se Serbia nuk është e gatshme të bashkohet me Evropën dhe të aplikojë sanksione kundër Rusisë. Situata ndërkombëtare ka ndikim edhe në Kosovë sa i përket anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, e dimë që nuk është pro Rusia, por edhe Kina dhe vendet e tjera? A është i rëndësishëm anëtarësimi në OKB për Kosovën, 15 vjet pasi shpalli pavarësinë nga Serbia? Unë mendoj se përvoja tashmë ka treguar që mund të mos jeni anëtar Kombeve të Bashkuara dhe në të njëjtën kohë të jeni një vend shumë i suksesshëm. Nëse shikojmë Zvicrën, shohim një shembull shumë të mirë të kësaj, ata u bashkuan me Kombet e Bashkuara shumë vonë. Njëkohësisht duhet të jetë e qartë se ajo varet nga vetë Kosova, nga progresi i vendit, nga përmbushja e kritereve në zbatimi i shtetit ligjor demokratik. Këto duhet të jenë parimet që Kosova të mund të anëtarësohet apo jo në një organizatë ndërkombëtare dhe jo fqinjësia apo bllokadat që mund të bëjnë të tjerët. Por, për shembull, a mund të jetë një shenjë pozitive për Kosovën njohja nga vende si India apo Brazili? Gërvalla: Mendoj se duhet të punojmë edhe më shumë së bashku me miqtë dhe partnerët tanë. Ne duhet të punojmë më shumë me vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe që kanë keqkuptime se çfarë është Kosova dhe si u bë vend i pavarur. Ka më shumë arsye të brendshme që disa vende nuk e njohin Kosovën, por jam i bindur se është e rëndësishme që ata të dinë se Kosova e pavarur nuk është produkt i një lëvizjeje separatiste, por i nevojës për të ndaluar gjenocidin në vendin tonë, pra të dihet se kjo është ajo që çoi në pavarësi. Mbështetja për pavarësinë e Kosovës erdhi sepse nuk kishte mundësi që ne të ktheheshim në vend bashkë me ata që bënë gjenocid. Për ta bërë këtë më aktuale, është e nevojshme që të gjithë të kuptojnë dallimin midis lëvizjeve separatiste dhe një gjenocidi që nuk lë vend për asnjë zgjidhje tjetër përveç të drejtës për t’u ndarë. Kemi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, në të cilin ata vendosën se Kosova ishte një rast “sui generis”, i pakrahasueshëm me të tjerët dhe se pavarësia e Kosovës nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar. Siç e kuptoj të drejtën ndërkombëtare, kjo është një bazë e mirë që vendet që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë këtë. Rreth 90 për qind e banorëve të Kosovës flasin shqip. Si do t’i përshkruanit marrëdhëniet me Shqipërinë? A ka një ideal bashkimi një ditë apo është e mundur të ndërtohen dy vende të ndryshme edhe pse ndajnë të njëjtën etni dhe të njëjtën gjuhë? Gërvalla: Fakti që 95 për qind e popullit në Kosovë flasin gjuhën shqipe është një urë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, e cila është fqinji ynë i parë dhe partneri ynë më i rëndësishëm, sepse ne ndajmë një gjuhë, kemi një kulturë, traditë dhe histori të përbashkët, por populli i Kosovës vendosi me pavarësinë të ndërtojë shtetin e tij sovran. Republika e Kosovës nuk po shkon askund, është një realitet, dhe ne po punojmë shumë dhe fort për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të begatë që së bashku me Shqipërinë të mund të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian në të ardhmen. Më lejoni t’ju pyes për rolin e Portugalisë në procesin e pavarësisë së Kosovës. Në forcat paqeruajtëse ndërkombëtare kishte shumë ushtarë portugez. A ka kujtime pozitive nga ajo prani? Gërvalla: Nëse flasim me njerëzit e thjeshtë në Kosovë, shohim se ka një simpati të madhe jo vetëm për ushtarët portugez, jo vetëm për portugezët që na ndihmojnë të rindërtojmë vendin tonë pas luftës, por ka një simpati të madhe edhe për kulturën, muzikën dhe për artin. Nuk është rastësi që këto ditë, javën e parë të kulturës kosovare vendosëm ta organizojmë në Portugali. Nëse do të më kërkonin të përshkruaj marrëdhëniet mes Portugalisë dhe Kosovës, do të thosha se janë shumë miqësore. Jam përpjekur të gjej një fjalë që e përshkruajmë më së miri, por është vërtet një marrëdhënie shumë miqësore. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që na ndihmuan pas luftës për të rindërtuar vendin tonë, për të ndërtuar struktura të besueshme që i tregojnë botës se Kosova është një shtet demokratik që mund të integrohet sa më shpejt në pjesën tjetër të familjes evropiane. Në të njëjtën kohë, perspektiva kosovare nuk është vetëm evropiane, por edhe euroatlantike, sepse besoj fuqishëm se NATO-ja dhe përmes saj ShBA-ja është një instrument shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Në rajonin tonë ne kemi tre vende që tashmë janë anëtarësuar në NATO, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe pa NATO-n atje besoj se Rusia do të përpiqej, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Serbisë, të destabilizonte rajonin, edhe më shumë sesa që bëjnë tashmë. Për javën e kulturës kosovare në Portugali, e cila filloi me një koncert madhështor në Lisbonë, a është i rëndësishëm ky pohim që Kosova të afirmohet ndërkombëtarisht, të tregojë kulturën, muzikën e kinemanë e saj? Gërvalla: Mendoj se njerëzit duhet të dinë më shumë për kulturën, artin tonë, sepse kultura dhe arti janë dritarja e shpirtit tonë. Mendoj se shpesh flasim për fqinjë, por shumë rrallë flasim për shpirtin e kombit tonë. Duke qenë në Portugali, e di që të gjithë këtu e kuptojnë se sa thellë mund të shihni se çfarë ndodh rreth jush kur keni një vizion të shpirtit të një kombi. Prandaj, jam shumë i bindur se prezantimi i kulturës sonë do të ndihmojë për të kuptuar më mirë Kosovën dhe atë që ajo përfaqëson. Ne duam të jetojmë në paqe në rajonin tonë, duam të ndërtojmë perspektiva për brezat tanë të rinj, duam të vazhdojmë të zbatojmë vlerat evropiane, sepse ne besojmë në to. Për ne, Bashkimi Evropian nuk ka të bëjë me paratë që marrim prej tij, pasi marrim shumë herë më shumë nga diaspora jonë e shpërndarë në mbarë botën. 92 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin perspektivën e anëtarësimit në BE, 92 për qind mbështesin anëtarësimin në NATO, dhe kjo është unike në Bashkimin Evropian. Duhet të bëjmë të ditur se kemi vendin më proevropian në të gjithë Evropën, ne duhet ta kemi mundësinë për të treguar se kush jemi, në çfarë besojmë dhe duhet t’u japim njerëzve në Kosovë një shans për të ndërtuar të ardhmen e tyre në shtëpi, duke mos iu dashur ta kërkojnë atë jashtë./KlanKosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.