15:04, 15 Prill 2019

Partia Demokratike e Italisë, forca kryesore e qendrës së majtë, ka shpallur listën zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet europiane që do të zhvillohen në 26 maj të këtij viti. Ndër kandidaturat e kolegjit zgjedhor të Italisë së Jugut, është edhe emri i një kandidateje nga komuniteti italo-shqiptar, Gerarta Ballo.

Gerarta, apo Geri, siç e thërrasin miqtë, ka nisur jetën e saj në Itali në moshën 11 vjeçe dhe ka qenë gjithmonë aktive ndër vite si pjesë e komunitetit shqiptar të Italisë.

Ka kryer studimet në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Torino dhe ka punuar si gazetare, duke themeluar njëkohësisht disa shoqata të cilat lidhen ngushtë me aktivitetin e saj për të rinjtë, emigrantët dhe gjeneratat e dyta. Në këtë qytet pothuajse 10 vjet më parë drejtonte emisionin radiofonik ‘Shqip in Torino’.

Pikë referimi për diasporën e hershme të arbëreshëve dhe atë të re shqiptaro-italiane, Gerarta nuk u shkëput nga Shqipëria. Përkundrazi, eksperienca e punës më e fundit është në diplomacinë shqiptare, ku punoi për dy mandate në Ambasadën e Shqipërisë në Romë.

Si studiuese e emigracionit dhe e realitetit kompleks të gjeneratave të dyta në Europë, ajo është angazhuar konkretisht për adresimin e problemeve të komunitetit shqiptar dhe arbëresh. Gjithashtu, është marrë me krijimin e rrjeteve mes shoqatave dhe profesionistëve për promovimin e Shqipërisë.

Gerarta gëzon respektin dhe mbështetjen e arbëreshëve, nga ku ka marrë edhe vlerësime, siç është titulli Qytetare Nderi e Lungros, bashki arbëreshe e Kalabrisë ku ndodhet selia e Ipeshkvisë së ritit bizantin.

Mbështetje të gjerë ka marrë edhe nga komuniteti shqiptaro-italian dhe miq të shumtë italianë, sidomos në kolegjin zgjedhor të Italisë së Jugut, ku bëjnë pjesë 6 rajone (Abruzzo, Calabria, Campania, Molise dhe Puglia) me pothuajse 14 milionë banorë./oranews

Konkurs Pune

Lexo më shumë