14:17, 15 Korrik 2019

Në kuadër të punimeve të takimit joformal të Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit të Spanjës, Josep Borrell.

Borrell vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin maksimal të Shqipërisë për plotësimin e kushteve të nevojshme që i hapin rrugë çeljes së negociatave me BE-në. Ai konfirmoi qëndrimin e palëkundur të Spanjës për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e qartë të tij për t’u bërë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ministri Borrell siguroi mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Në një postim në Facebook, Cakaj ka shkruar se takimi me Borrell, spikati në tre elemente kryesore.

“Së pari, domosdoshmërinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Spanjës, veçanërisht duke rritur nivelin e komunikimit të lartë politik dhe duke shtuar bashkëpunimin ekonomik; Së dyti, rëndësinë e patjetërsueshme të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë në muajin tetor dhe, për më shumë fuqizimin e politikave të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi; Së treti, vlerësimin pozitiv ndërkombëtar për përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në vitin 2020 dhe nevojën për një koordinim të ngushtë me pjesëmarrësit e kësaj organizate;”

“Shqipëria do të vazhdojë t’i realizojë objektivat madhorë të politikës së jashtme dhe të fuqizojë më tej besueshmërinë ndërkombëtare të saj”, ka shkruar ai, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë