Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Geci, qeverisë: S’mund t’i kuptoj kur thuhet se pati ”Rritje të lartë ekonomike”

NULL NULL
16.11.2023 18:39
Marigona Geci

Deputetja e LDK-së, Marigona Geci për projekt-buxhetin ka thënë se një buxhet i tillë nuk do të jetë zhvillimor.

”Ky buxhet mund të jetë më i madh se në vitet e kaluara por nuk shoh që të adresohen në vendet përkatëse që ka nevojë ekonomia e vendit tonë. Ju na bëtë një rezyme të parave që janë në gjendje dhe të shpërndarjes së tyre, por  kjo shpërndarje dhe ky buxhet për vitin 2024 nuk mund të quhet buxhet zhvillimor, duke marr parasysh inflacionin e lartë dhe ngritjen e çmimeve të shumë produkteve”, tha Geci në foltoren e Kuvendit.

Geci tha se nuk ka logjikë të thuhet se ka rritje ekonomike kur ka rritje te vazhdueshme të skemave sociale.

“Sipas këtij projekt-buxheti 1 miliardë e 62 milion e 315 mijë e 550 euro janë ndarë për subvencione dhe transfere. Nuk po mundem me e kuptu se si mund të thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike, kur buxheti për skemat sociale rritet vazhdimisht dhe ka rënie të investimeve kapitale”, tha Geci.

Përndryshe ajo i quajti qeveritë majtiste si qeveri tendencioze që paguajnë social për ata që nuk punojnë, dhe përdorin subvencionet si mjet të politikave të tyre, njofton Klankosova.tv.

“Zakonisht qeveritë majtiste kanë tendencë të përdorin subvencionet si një mjet për të ndikuar në ekonominë e vendit në përputhje me politikat e tyre të orientuara në mbështetje sociale. Ju paguani social për t’i marrë votat nga kjo shtresë, pra ju paguani ata që nuk duan të punojnë, ndërsa fuqisë punëtore ua keni dhënë rrugën për Gjermani e vende të tjera të Evropës”, deklaroi deputetja.

Ajo përsëriti se buxheti i ndarë për vitin 2024 nuk do të jetë buxhet zhvillimor, por më shumë i natyrës sociale.

“Duke e marr parasysh inflacionin dhe ngritjen e çmimeve, buxheti i ndarë për vitin e ardhshëm nuk do të jetë buxhet zhvillimor, ky buxhet do të jetë më tepër i natyrës sociale. Kosova ka nevojë për vende stabile të punës, kjo arrihet duke investuar në fabrika prodhuese, të cilat përveçse ulin përqindjen e papunësisë, sjellin edhe të ardhura, mirëpo kjo nuk arrihet duke ua ndarë nga 100 euro të gjithë punëtorëve në sektorin publik e privat, siç e keni zakon ju”, shtoi Geci.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.