Gazetari Mexhiti: Alarmi me bomba, luftë hibride ndaj Maqedonisë së Veriut (VIDEO) NULL NULL 21.02.2023 19:06 21.02.2023 19:06 Në ditën e sotme u raportua për alarm me bomba në presidencë, shkolla dhe qendra tregtare në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Por, shumë shpejt ato dolën të ishin alarme të rrejshme. Zekirja Mexhiti, gazetar nga Shkupi, thotë se situata të tilla janë bërë të zakonshme kohët e fundit në Maqedoninë e Veriut. “Është një ditë e zakonshme që në Maqedoninë e Veriut të zgjohesh me alarme të rrejshme të njëpasnjëshme. Janë një varg institucionesh që nga tetori po marrin alarme për bombë përmes adresave të e-mailave elektronike, të cilat dërgohet si kërcënim direkt për shpërthime”, thotë Mexhiti në lidhje direkte për “Info Magazine”. Ai përmend se nga kjo situatë janë nxënësit më të dëmtuarit. “Kanë qenë shkollat, të cilat janë kërcënuar vazhdimisht me bomba dhe janë nxënësit, ata të cilët janë dëmtuar nga kjo luftë hibride, ashtu siç po e quajnë autoritetet. Mirëpo, sot për herë të parë është alarmuar për bombë Vila Presidenciale dhe Presidenti Pendarovski, qendrat më të mëdha tregtare të Shkupit dhe shkollat. E tërë kjo situatë ka krijuar dhe sjellë panik te qytetarët, edhe pse menjëherë këto alarme për bomba u konstatuan të rreme”, shprehet ai. Megjithatë, origjina e sulmeve sipas tij nuk dihet saktësisht, meqenëse Ministria e Brendshme nuk ka dhënë informata më të detajuara për publikun. “Ashtu siç kanë thënë nga fillimi, autoritetet i quajnë luftë hibride ndaj Maqedonisë së Veriut, meqenëse edhe më herët është ballafaquar me kërcënime të ngjashme edhe Mali i Zi, por Maqedonia e Veriut në kohët e fundit është më aktive. Sipas Ministrisë së Brendshme, këto kërcënime kanë qenë me IP adresa nga shtete të jashtme, por pa treguar saktësisht se nga cilat shtete vijnë ato. Këto kërcënime me bomba janë në rritje edhe për shkak të situatës politike dhe gjeopolitike që mbizotëron në glob, dhe sigurisht edhe forcat destruktive që nuk ia duan të mirën rajonit, veçanërisht Maqedonisë së Veriut. Kjo krijon mundësi për të mbjellë kaos dhe panik te qytetarët”, tha Mexhiti. Edhe pse kjo situatë po cilësohet si luftë hibride, nga ana e institucioneve nuk po ndërmerren masa për parandalimin e saj, thotë ai. “Është pjesë e luftës hibride, ky është termi që po përdoret nga ana e institucioneve, por mungojnë masat konkrete apo masat parandaluese për të luftuar këtë dukuri. Duhet theksuar se shkaku i kësaj lufte hibride, nxënësit nga gjysmëvjetori i parë kanë humbur më shumë se dy muaj. Për shkak se ashtu thotë protokolli, në momentin që merret alarmi për bombë, duhet të evakuohen nxënësit dhe i gjithë personeli i shkollës, përderisa t’i përfundojnë të gjitha kontrollet ekipet antiterrore. Njësoj vlen edhe për institucionet publike, ku paralizohet e gjithë puna institucionale e kështu me radhë”, u shpreh ai. Prandaj, thotë ai, në drejtim të institucioneve ka kritika, për shkak se ato “nuk po arrijnë të gjejnë formulën e duhur se si mund të parandalojnë këto kërcënime”. /Klankosova.tv Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova “Shpata” shkatërron tri laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut, dy serbë të arrestuar 12/02/2023