Gashi, PDK: Nuk mbështeten bizneset, punëtorët e qytetarët me improvizimet e qeverisë aktuale

Gashi, PDK: Nuk mbështeten bizneset, punëtorët e qytetarët me improvizimet e qeverisë aktuale

2 muaj më parë

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar ashpër propozimin e Qeverisë për projektligjin per rimëkëmbje ekonomike, i cili sipas deputetëve të PDK-së është një improvizim i keq dhe nuk i ndihmon as bizneset, as punëtorët e sektorit privat dhe as qytetarët në nevojë, në përballje me pandeminë Covid-19.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar, tha në seancën plenare të Kuvendit se PDK qysh në fillim të pandemisë kishte dizajnuar pakon emergjente e cila parashihte masa konkrete në ndihmë të bizneseve e qytetarëve por ai propozim u injorua në atë kohë nga qeveria VV-LDK.

Ai tha se projektligji i hartuar nga qeveria nuk ka asnjë lidhje me rimëkëmbje ekonomike, përkundrazi, ai varfëron shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve.

”Ky projektligj mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm ligj për rimëkëmbje nuk është, sepse i njëjti nuk adreson problemet e vendit me ekonomi e pandemi. Madje ky ligj nuk ndihmon as shëndetësinë, sektor ky që po ballafaqohet me probleme të shumta sa i përket përballjes së personelit shëndetësor me virusin”, tha Gashi.

Ai ka përmendur nen për nen gabimet që ka bërë Qeveria me hartimin e këtij projektligji, ndërsa ka theksuar se masat e parapara me këtë ligj do ta dëmtojnë të ardhmen financiare të vendit dhe qytetarëve.

Po ashtu ai u shpreh se propozimi i Qeverisë që qytetarët të tërheqin 10 përqind të mjeteve nga fondi I kursimeve TRUST, është një zgjidhje afatshkurtër për një kategori të qytetarëve që kanë mjete në TRUST por në aspektin afatgjatë, kjo dëmton qytetarët meqë shteti nuk do t’ua rimbursojë qytetarëve mjetet asnjëherë.

“Pra, kjo i bie që ata të cilët i tërheqin mjetet, do ta zvoglojnë edhe më shumë fondin e tyre pensional. Pra do të kenë për 10% më pak mjete për pleqërinë e tyre”, tha Gashi.

”Te Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, shtohet një nën paragraf i ri, me tekstin si në vijim: 2.14. furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit. Siç dihet sektorët që më së shumti janë dëmtuar nga masat kufizuese të qeverisë, janë pikërisht: Gastronomia, pra restaurantët, bujqësia, ndërtimtaria, prodhimtaria, transporti privat etj. Ndryshimet e parapara me këtë paragraf nuk specifikojnë asgjë se si do të ndihmohen restaurantët, duke pasë parasysh se ata më shumë se kurrë sot kanë nevojë për përkrahjen e qeverisë. Ka shtete që kanë dalë me ide kreative se si të ndihmohet p.sh gastronomia. Pra i kanë obliguar punëtorët dhe qytetarët që të ushqehen nëpër restaurante, kurse, pagesat i ka mbuluar qeveria me qëllim që t’ua lehtësojë restauranteve krizën dhe mos të mbesin punëtorët pa paga e pa punë”, tha Gashi.

Ai ka kritikuar po ashtu ndryshimin e propozuar në ligjin për ATK përmes së cilit Qeveria parasheh që t’ua falë interest e tatimeve bizneseve nëse ato I paguajnë të gjitha obligimet ATK-së deri në fund të këtij viti.

”Mendoj se ky Nen nuk i ndihmon aspak bizneset, përkundrazi, ky i rëndon edhe më shumë në këtë kohë pandemie, pasi që ju po i thoni biznesit, ua heqim interesin e obligimeve që keni ndaj ATK-së, ama ju duhet ti paguani të gjitha obligimet deri në fund të këtij viti. Tani këtu lind pyetja: me cka kanë me pagu biznesi obligimet kur shumica e bizneseve po ballafaqohen me vështirësi financiare përshkak të pandemisë”.

Ai kërkoi që ky projektligj improvizues nga qeveria të tërhiqet dhe plotësohet në konsultim me profesionistë të fushës, pasi si I tillë nuk ndihmon as bizneset e as qytetarët.

”PDK është e interesuar që ta bëjmë një ligj i cili artikulon nevojat e vendit përballë pandemisë dhe që përkrah ekonominë e vendit, dhe jo ligj improvizues sikur ky sot. Pra, nëse vërtet jeni të interesuar ta bëjmë një ligj i cili trajton dhe adreson konkretisht problemet që kemi, eja të ulemi bashkë, qeveria, opozita, ekspertë të fushës, dhe ta hartojmë një ligj adekuat i cili merret me menaxhimin e pandemisë, dhe përcakton masa konkrete ekonomike se si të ndihmohet biznesi dhe qytetarët sot, kur dihet që tashmë pjesa dërmuese përballet me probleme të mëdha të shkaktuar nga coronavirusi”, tha Gashi.