Gashi nga PDK: Kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi, Kurti po vuan nga sindromi i protagonizmit - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gashi nga PDK: Kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi, Kurti po vuan nga sindromi i protagonizmit

NULL NULL
17/04/2020

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka akuzuar Qeverinë Kurti për veprime jokushtetuese dhe për vonim të hapave në luftën kundër pandemisë.

Për këto arsye ai mendon se ky kabinet qeveritar duhet të bie për t’u ngritur një tjetër që, sipas tij, e ka në prioritet pikërisht këtë luftë, njofton Klan Kosova.

“Jemi në një situatë të vështirë nga pandemia dhe kjo po ndodhë në gjithë botën. Por, shqetësuese është që vendi ynë me një qeveri të shkarkuar, si duket nuk i ka ndërmarrë me kohë masat e duhura për parandalim e përhapjes së virusit”.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër vuajnë nga sindromi i protagonizmit. Edhe këta tash e kanë kuptuar se shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme ka qenë e nevojshme atëherë kur u propozua. Funksionimi i qeverisë edhe i shtetit ka procedura që i parasheh Kushtetua dhe ligjet. Nëse masat që kjo Qeveri ka ndërmarrë janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, për mua dhe PDK-në janë vetëm improvizime që po shkaktojnë dëme në terren. Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ka shkelje”.

“Siç e dini neni 85 i Kushtetutës garanton lëvizjen e lirë, shprehimisht thotë se kufizimi bëhet vetëm sipas ligjeve. Këta kanë ndërmarrë veprime konform situatës që ata i kanë vlerësuar. Në fazën e dytë pas konstatimit të Gjykatës këtë e delegon te ministri i Shëndetësisë, që besoj se të gjithë e kanë të qartë se është jokushtetuese”.

Gashi në Info Magazine ka thënë se vendimi i PDK-së për të qëndruar në opozitë nuk ka ndryshuar dhe se nuk do të lëvizin nga ai edhe tani kur po synohet të krijohet një qeveri e re më gjithëpërfshirëse nga LDK-ja – nëse i jepet e drejta kushtetuese.

“Qysh më 6 tetor kemi marrë qëndrim të qartë që të jemi në opozitë, për këtë kanë vendosur qytetarët e Kosovës. Që nga ajo datë vazhdojmë të jemi në këtë qëndrim. Ne do të bashkëpunojmë me çdo qeveri kur qëllimet dhe vendimet i kanë në favor të qytetarëve”.

“Tashmë Vetëvendosjen e kemi parë në qeverisje dhe e pamë që s’ka vizion të qartë, por vetëm improvizon dhe s’ka përgatitje të strukturave të veta për qeverisje”.

Për situatën e krijuar politike në kohë pandemie, të cilën po e kritikon, Gashi tha se as partia e tij e as Grupi Parlamentar – që ia dha votën shkarkimit të Qeverisë – nuk kanë hise.

“Nuk e kemi nënshkruar inicimin e mocionit dhe as nuk e kemi thirrur seancën për rrëzimin e Qeverisë. Pra, në fazën e parë nuk jemi pjesëmarrës. Por, kur vjen për t’u shkarkuar një qeveri gjithmonë opozita e voton”.

Gashi thotë se partia e tij e votoi mocionin edhe për një arsye tjetër.

“Në buxhetin e miratuar për vitin 2020 nuk kanë paraparë asnjë fond emergjent që do ta obligonte moszgjerimin e pandemisë në vendin tonë. Në këtë fazë kjo Qeveri ia ka huq dhe është mirë që sa më parë të shkojë në shtëpi dhe të kemi një qeveri që do ta vendosë në prioritet trajtimin e pandemisë”.

Deputeti nga PDK-ja mohoi se ka ndikim ende ish-kryetari i partisë, Hashim Thaçi, megjithatë për të tha se ai po i ushtron obligimet e tij kushtetuese në lidhje me krijimin e qeverisë.

“PDK ka kryetarin e saj dhe Këshillin Drejtues, kryesitë e veta, deputetët e vet dhe ne do ta ushtrojmë detyrën tonë si subjekt politik duke ndihmuar çdo qeveri që ka vendime në interes të qytetarëve. Por gjithashtu do ta sulmojmë politikisht secilën qeveri që s’punon në interes të vendit”.