13:30, 10 Prill 2019

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka nisur sot edicionin e 17-të të Javës së Bibliotekës me temën “Programi Kombëtar i Arsimimit Bibliotekar.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili njoftoi se këtë edicion të Javës së Bibliotekës, programet e të cilit po zhvillohen në shumë komuna të Kosovës, MKRS-ja po i përkrah financiarisht.

Ai po ashtu tha se ndihet i nderuar me pjesëmarrjen e tij në hapjen e edicionit të 17-të për të diskutuar rreth mundësive të përkrahjes së këtij institucioni të rëndësishëm të grumbullimit, të ruajtjes dhe të përpunimit të trashëgimisë së shkruar e jo të shkruar.

“Duhet folur zëshëm dhe ne po punojmë e po veprojmë në këtë drejtim, që derisa revolucioni i informacionit i ka vënë në presion të madh bibliotekat tona, t’i ndihmojmë ato për të përgatitur infrastrukturën e përshtatshme, që të gjejnë rrugën e tyre të duhur në këtë ndarje dramatike teknologjike, që të mund të ushtrojnë ndikimin e tyre jo vetëm në fushën e dijes për informacionin, por të kenë fuqinë e ndikimin arsimor, kulturor e social”, u shpreh ai.

Gashi po ashtu tha se këtë vit flitet për hapa konkretë që janë ndërmarrë për krijimin e një programi që do të rrisë edhe më shumë kapacitetin e bibliotekave në Kosovë, duke përmendur këtu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës e të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërkaq, drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku tha se “Biblioteka Kombëtare pas shumë vështirësive po bën hapjen e bibliotekës digjitale. Kjo bibliotekë do shërbejë për ruajtjen e trashëgimisë së shkruar të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryekuvendari Kadri Veseli, i cili u shpreh i lumtur me lansimin e projektit të digjitalizimit të bibliotekave.

“Ky projekt iu ndihmon studentëve tanë që të jenë të barabartë, që në mënyrë digjitale të trajtojnë literaturë e cila është e nevojshme për studimet e tyre”, tha ai./klankosova.tv/.

Konkurs Pune

Lexo më shumë