0:16, 17 Shtator 2019

Arben Gashi nga LDK-ja nuk ka dashur të zbulojë shumë nga programi qeverisës i kësaj partie pa u prezantuar ai fillimisht nga kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani.

“Te pjesa e shëndetësisë, ne qysh vitin e parë parashohim katërfishim të buxhetit për shëndetësi duke filluar nga ristrukturimi dhe riorganizimi të sistemit shëndetësor në tri nivelet – primar, sekondar dhe terciar”.

“Kalimi prej 50 milionë në 200 milionë do të thotë 20 km më pak autostradë dhe shumë më shumë shërbime mjekësore dhe krijimin e ndjenjës së garancisë se këto shërbime merren në Kosovë”.

Por, ai në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës ka dhënë më shumë detaje se çka parasheh programi i LDK-së në pjesën e sundimit të ligjit.

“Vjosa Osmani shumë shpejt do ta bëjë prezantimin e programit dhe te programi për sundim të ligjit, ku unë jam një nga të barabartët që e kemi bërë këtë program, janë disa elemente jashtëzakonisht të rëndësishme”.

“E para është dekriminalizimi i sistemit të sigurisë, prokurorial dhe të gjykatave. Këtu janë disa elemente, i pari është sistemi i verifikimit dhe kontrollimit të përshtatshmërisë për punën që mund të konsiderohet një pjesë e Vettingut”.

“Ka të bëjë me krijimin e një institucioni të veçantë që do të merret me verifikimin dhe kontrollimin e pasurisë, aseteve të luajtshme, të paluajtshme dhe ato financiare”.

“Kemi problem jashtëzakonisht të madh me Agjencinë kundër Korrupsionit. Puna që ajo bën është me relativizu punën kundër korrupsionit. Në këtë rast është një ide për krijimin e një Zyre Shtetërore të Hetimit që ka kompetenca mikse mes hetimit dhe përndjekjes”.

Gashi ka deklaruar se kandidatja e LDK-së për kryeministre do ta prezantojë shumë mirë Kosovën duke shtuar se ajo ka njohuri në politikën e punëve të jashtme.

“Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit të Politikës të Jashtme për dy vjet në Kuvend dhe koordinatore e ekipit të ekspertëve për Politikën e Jashtme në LDK. Mendoj se ka njohuri të jashtëzakonshme në fushën e marrëdhënieve me jashtë. Ju keni parë që ka pasë vizita të shpeshta në SHBA – zyrtare dhe gjysmëzyrtare – dhe ka raporte personale të mira”.

“Vjosa Osmani do të jetë kryeministrja e Kosovës që do ta përfaqësojë Kosovën në raportet e jashtme”.

Duke diskutuar për këtë temë, ai ka thënë se Vjosa Osmani është shumë më e mirë se kundërkandidatët e saj, madje edhe se presidenti i vendit – në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Nëse e krahasojmë me [Kadri] Veselin, [Ramush] Haradinaj, [Hashim] Thaçi, [Albin] Kurti, është pakrahasimisht më e mirë sepse nuk ka në bagazhin e saj ndonjë problem të theksuar që mund ta ketë Veseli, që e ka pasë Haradinaj dhe për të cilin dha dorëheqje, ose Kurti që është pa komunikim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë”.

Ndërsa, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Gashi ka deklaruar se Vjosa Osmani ka pasë qëndrim konsisent duke qenë kundër qysh nga viti 2013.

Gashi gjithashtu theksoi se moskandidimi i disa figurave të rëndësishme të LDK-së për deputetë nuk lidhet me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre dhe se ajo gëzon mbështetje nëpër këto komuna.

“Është menduar që më së miri është që kryetarët e komunave do të ishte më mirë të mos kandidoheshin në mënyrë që të mos i mashtrojmë qytetarët”.

“Është menduar që ata ta kryejnë punën si kryetar të degëve dhe të komunave si dhe të angazhohen për sjelljen e votave”.

“Takimet më të mira të fushatës i kemi pasë në këto qytetet ku po pretendoni se mund të ketë ndonjë hatërmbetje apo demobilizim”.

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë