12:28, 28 Qershor 2019

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim përfaqësuesen e Kosovës në basketboll 3×3, e cila për herë të parë do të marrë pjesë në gara ndërkombëtare të organizuara nën ombrellën e shtëpisë kryesore të basketbollit evropian dhe botëror FIBA-s.

Për herë të parë në histori të këtij sporti, përfaqësuesja e vendit tonë do të garojë në kualifikimet për Kupën Evropiane, të cilat për reprezentacionin kosovar janë historike.

Kosova do të garojë në kualifikimet për FIBA 3×3 – Europe Cup 2019, që do të mbahet në qytetin Konstanca të Rumanisë më 29 dhe 30 qershor.

Katër basketbollistët kosovarë që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë prestigjioze që mbledh rreth vetes super-ekipe me super-lojtarë nga shtetet e evropiane janë: Albatrit Berisha, Arti Hajdari, Altin Sahiti dhe Arian Mehmeti.

Gjatë këtij takimi, Gashi i inkurajoi sportistët pjesëmarrës që të prezantohen sa më suksesshëm në Rumani.

“Ju inkurajoj që të jepni maksimumin dhe të na përfaqësoni në mënyrën më të mirë, sepse pjesëmarrja juaj përfaqëson shtetin e Kosovës dhe çdo arritje e juaja atje është arritje e shtetit të Kosovës” tha ministri Gashi.

“Si Ministri e Sportit po mbështesim në vazhdimësi sportistët të cilët kanë nevojë të përkrahen për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve të tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Gashi i ka dhuruar ekipit një flamur të Kosovës, me shpresë se ky flamur do të ngritet sa më lart në Rumani.

Tutje, ai tha se “është nder dhe kënaqësi t’i mbështesim në vazhdimësi ata të cilët po e mbrojnë më së miri flamurin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë po e promovojnë shtetin e ri të Kosovës në të gjitha garat nëpër botë”.

Sportistët e përfaqësueses së Kosovës në basketboll 3×3 e falënderuan ministrin Gashi për pritjen dhe e falënderuan për përkrahjen e vazhdueshme që po jep për sportin në përgjithësi./klankosova.tv/.

Konkurs Pune

Lexo më shumë