Gashi: COVID-19 shkaktoi vështirësi të jashtëzakonshme në çdo aspekt të funksionimit të "Ferronikelit" (VIDEO)

Gashi: COVID-19 shkaktoi vështirësi të jashtëzakonshme në çdo aspekt të funksionimit të “Ferronikelit” (VIDEO)

NULL NULL
1 muaj më parë

Kompania që merret me prodhimin dhe përpunimin e mineraleve “Ferronikel” është përballur me shumë telashe për shkak të pandemisë globale COVID-19.

Zyrtari për informim në “Ferronikel”, Blerim Gashi, ka thënë se gjiganti në sektorin minerar është goditur shumë nga gjithë situata e krijuar me COVID-19 në botë, por edhe nga kufizimet që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë.

“Telashet janë të mëdha për arsye të pandemisë që e ka bërë shumë të vështirë funksionimin edhe të gjigantit “Ferronikel” në disa aspekte. Duke pasë parasysh që “Ferronikeli” është në bursën ndërkombëtare dhe varet nga tregjet ndërkombëtare – nga çmimi dhe kërkesat në tregjet ndërkombëtare – pengesat dhe vështirësitë kanë qenë të mëdha. I gjithë prodhimi jonë është për eksport, prandaj edhe kemi qenë të prekur drejtpërdrejt nga pandemia në këtë aspekt, por edhe nga vështirësitë nga masat që janë ndërmarrë nga shteti”.

“Pandemia ka shkaktuar probleme të mëdha në përgjithësi. Vështirësitë kanë qenë, përveç rritjes së kostos dhe problemeve që kemi pasë me eksportimin e nikelit te blerësit tanë jashtë, edhe të natyrës vendore në aspektin e masave të qeverisë dhe mungesës së përkrahjes së Qeverisë së Kosovës kundrejt nevojave që ka “Ferronikeli”. Ne kemi pasë ndalesë prodhimi për gati tre muaj, kryesisht për shkak të vështirësive. Kemi shfrytëzuar këtë ndalesë të prodhimit për aktivitete të tjera, konkretisht për planet investive që grupi “Balfin” i ka pasë më herët. Vala e parë e pandemisë ka shkaktuar vështirësi të jashtëzakonshme në gati çdo aspekt të funksionimit të kompanisë tonë”.

Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se deri tani nuk kanë pasë asnjë ndihmë nga Qeveria e Kosovës.

“Edhe me qeverinë paraprake, por edhe me këtë qeveri, kemi pasë komunikim për kërkesat që janë të nevojshme për funksionimin e “Ferronikelit”. Ndihmesa nga qeveria vazhdon të jetë e vonuar dhe e pamjaftueshme dhe nga ana tjetër shumë e domosdoshme dhe e nevojshme për sigurinë e funksionimit dhe mbarëvajtjen e punëve në “Ferronikel””.

“Ne si kompani private nuk kërkojmë subvencionim. Megjithatë, ne presim që Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike të mos jetë lineare, por të jetë gjithëpërfshirëse dhe të ketë parasysh kërkesat e një gjiganti në sektorin minerar siç është “Ferronikeli”. Deri më tani nuk kemi hasë në ndonjë ndihmesë”.

“Nëse hymë në statistika nga transha e fundit e përkrahjes së qeverisë ndaj sektorit të ekonomisë për rimëkëmbje ekonomike është 0,35 % nga e përgjithshmja e ndihmesës së bizneseve që do të thotë se është josignifikante”.