FSK-ja pjesë e stërvitjes "Defender Europe 21"

FSK-ja pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21”

NULL NULL
1 month më parë

Forca e Sigurisë Kosovës  do të marrë pjesë në stërvitjen e koduar “Defender Europe 21” që do të zhvillohet në Shqipëri në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021.

Si forcë aleate e NATO-s, Forcat e Sigurisë Kosovës do të jenë pjesë përbërëse e 3 mijë e 100 trupave pjesëmarrëse në stërvitje, krah atyre të SHBA-së, Kanadasë, Britanisë Madhe, Turqisë, Rumanisë, Greqisë, Bullgarisë, Çekisë, Hungarisë, Kroacisë, Maqedonisë Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës e Gjeorgjisë.

Zhvillimi i stërvitjes dhe pjesëmarrja e një numri të madh trupash ushtarake në këtë stërvitje do të rrisin bashkëpunimin ndërmjet vendeve.

Kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane.

Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21”. Pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjen e koduar “Defender Europe 21” është përfshire në projektligjin “Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e Forcave të Vendeve Anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të Vendeve Partnere të kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët “Defender Europe 21” të propozuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë që është në procedurë miratimi në parlamentin e këtij vendi.

Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë po planifikon të dislokojë në Shqipëri përafërsisht 3100 efektivë për zhvillimin e stërvitjeve të sipërpërmendura.

Strukturat dhe elementët e parë të ushtrisë amerikane do të fillojnë të dislokohen në territorin e Shqipërisë që në fillim të muajit prill 2021, ku misionet e tyre do të jenë “aktivitetet e informimit” dhe përgatitja e infrastrukturës logjistike për ngritjen e kampeve fushore në të gjitha vendet e dislokimit dhe terrenet stërvitore të ofruara nga Forcat e Armatosura të Ushtrisë Shqiptare.

Vendimi për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave ushtarake të huaja në stërvitje të përbashkëta ushtarake ndërkombëtare, në veprimtari të organizuara, të autorizuara ose të drejtuara nga NATO-ja, Bashkimi Evropian apo vendet e tjera, në territorin e Republikës së Shqipërisë, për numër të përgjithshëm pjesëmarrësish, merret: a) deri në 500 veta, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes; b) mbi 500-1000 veta, me vendim të Këshillit të Ministrave; c) mbi 1000 veta, me ligj nga Kuvendi.”

Meqenëse në stërvitje do të marrin pjesë 3100 trupa ushtarake, është në kompetencë të Kuvendit marrja e vendimit për zhvillimin e stërvitjes.

Në nenin 4 të projektligjit të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë thuhet se Stërvitja “Defender Europe 21” do të zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021, në Komandat e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, në garnizonin “Skënderbej”, bazën ajrore të Farkës, bazën ajrore të Kuçovës dhe në poligonet stërvitore të Bizës dhe Fekenit, si dhe në rrugëkalimet ajrore e tokësore për në këto rajone. Gjithashtu, palëve pjesëmarrëse në stërvitje do t’i vihen në dispozicion edhe hapësira detare e ajrore, për shkak se mjetet do të lëvizin në to pa u kufizuar në zonat ushtarake.

Në nenin 5 përcaktohet numri i trupave ushtarake dhe i mjeteve që do të përdoren në stërvitje. Në këtë stërvitje do të angazhohen 3100 trupa ushtarake të vendeve aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1000 automjete joluftarake, të cilat kryejnë lëvizje gjatë 24 orëve në rajonin e përcaktuar të stërvitjes, sipas nenit 4, të këtij ligji.

Sipas nenit 6 të projektligjit, trupat e vendeve aleate, gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë, kanë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave të tyre, nënshkruar në Londër, më 19.6.1951, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009. Stërvitja e koduar “Defender Europe 21” do të fillojë një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri. Sipas relacionit shoqërues të Këshillit Ministrave për projektligjin thuhet se nga palët e huaja është marrë garanci që asnjë veprim ose manovër nuk do të zhvillohet jashtë reparteve para datës 25.4.2021.

Manovrat e mirëfillta stërvitore do të fillojnë në datat e ilustruara në pjesën III të relacionit, pra, kryesisht në muajin maj. Periudha para këtyre datave është parapërgatitore për të garantuar zhvillimin me sukses të akomodimit, logjistikës dhe zhvillimit të stërvitjes në përgjithësi.

Miratimi i këtij projektligji nuk cenon asnjë dispozitë të kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë.

Në fillim të muajit shkurt Shqipërinë e ka vizituar Gjeneral Major Joseph Jarrard, Zv. Komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së SHBA në Europë e Afrikë.

Gjeneral Major Joseph Jarrard, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të drejtuar nga presidenti Shqipërisë Ilir Meta.

Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje ai nënvizon se ka pasur një diskutim të shkëlqyer mbi mënyrën sesi mund të vazhdojnë të punojnë së bashku për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin nëpërmjet stërvitjes së ardhshme ushtarake të SHBA-së, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare.

“Falënderoj presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe ministrin Peleshi për pritjen e tyre sot. Patëm një diskutim të shkëlqyer mbi mënyrën se si mund të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin tonë nëpërmjet stërvitjeve të ardhshme ushtarake të SHBA-së, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare. Një aleate e palëkundur e NATO-s prej vitit 2009, Shqipëria është një partnere strategjike e sigurisë për Shtetet e Bashkuara – si në rajon, ashtu edhe në botë. Shqipëria po investon ndjeshëm për të forcuar gatishmërinë e saj për mbrojtjen kolektive të NATO-s, duke punuar ngushtë me SHBA për të përmirësuar aftësitë në të gjitha fushat. Ne kemi qenë dëshmitarë të guximit dhe vendosmërisë së shqiptarëve në Afganistan, Kosovë dhe Irak dhe, përmes Partneritetit Kombëtar të Shqipërisë me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit. Ndërsa ne jemi ende duke planifikuar stërvitjen DEFENDER-Europe 21, presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Shqipëria do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake që po afrojnë, dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon. Faleminderit edhe një herë për mirëpritjen tuaj të ngrohtë në Shqipëri dhe pres me kënaqësi edhe më shumë vite mbështetjeje të ndërsjellë me aleaten tonë të vyer, Shqipërinë”, tha Gjeneral Major Joseph Jarrard, Zv. Komandant Gjeneral i Ushtrisë së SHBA në Europë e Afrikë/EO.