Lajmet e fundit

Shumë fëmijë në Britani kanë të paktën një lodër të butë “squishy”, të cilat zakonisht tregtohen si lodra shqisore. Por së fundmi janë ngritur shqetësime për sigurinë e tyre.
Pas një investigimi të emisionit të BBC-së, “Morning Live”, prindërit kanë ndarë raste shqetësuese që lidhen me këto lodra. Një prej tyre është Jodanna Beva, nënë nga Bridgend, në Uellsin e Jugut, e cila u përball me një situatë të frikshme pasi djali i saj u zgjua me dhimbje dhe nuk arrinte t’i hapte sytë, pas një incidenti me një lodër “squishy”.
Ajo tregoi se djali i saj katërvjeçar kishte nevojë për trajtim në spital pasi një prej lodrave, të cilën ajo e kishte blerë online, shpërtheu në fytyrën e tij. Edhe pse pas larjes së syve në shtëpi gjendja fillimisht dukej normale, mëngjesin tjetër sytë e fëmijës ishin fryrë aq shumë sa nuk mund t’i hapte dhe ai kishte nevojë për trajtim specialist për t’i shpëlarë.
Në emisionin e BBC-së, nëna tha se djali po e shtypte lodrën pranë gjoksit kur ajo papritur shpërtheu dhe përmbajtja i shkoi në sy. Sipas saj, lënda ishte e bardhë, e rrëshqitshme dhe kishte një teksturë të ngjashme me rërë.
Pas trajtimit urgjent, djali i Jodannës u rikuperua plotësisht. Megjithatë, nëna thotë se tashmë ai është “dukshëm më i ndjeshëm ndaj dritës”, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Sipas BBC-së, kompania Shein, ku Jodanna kishte blerë lodrën, ka kërkuar falje dhe ka konfirmuar se produkti, i shitur përmes një pale të tretë, është hequr nga shitja. Së bashku me të janë hequr edhe produkte të tjera të ngjashme, me qëllim “parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen”.
Prezantuesja e BBC-së, Sheree Murphy, tha se rastet e raportuara janë të ndryshme, por kanë të përbashkët të njëjtin shqetësim: prindërit kishin blerë lodra që i konsideronin të sigurta dhe të përshtatshme për fëmijët.
Shqetësime për lodrat e parregulluara janë ngritur më herët edhe nga autoritetet britanike të standardeve tregtare. Sipas raportimit të BBC-së, degët lokale të këtyre autoriteteve kanë hequr nga raftet “mijëra” lodra që nuk plotësonin kërkesat e sigurisë./Klankosova.tv