Franca me masa të reja për festat e fundvitit, mbyllen klubet e natës

Franca me masa të reja për festat e fundvitit, mbyllen klubet e natës

NULL NULL
2 months më parë

Franca do të mbyllë klubet e natës përpara Krishtlindjeve dhe do të shtrëngojë masat e distancimit social. Kryeministri, Jean Castex, deklaroi se vendimet vijnë si përgjigje ndaj variantit Omicron të koronavirusit, por nuk ka nevojë për bllokime të reja ose shtetrrethime.

Nga e premtja, klubet e natës do të mbyllen për katër javë dhe qeveria gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë vullnetarisht tubimet private dhe profesionale, duke forcuar kërkesat për mbajtjen e maskave në shkolla.

Nga 15 dhjetori, fëmijëve të moshës pesë deri në 11 vjeç, që janë mbipeshë ose që kanë një gjendje të rëndë shëndetësore, do t’u ofrohet akses në vaksinim. Fëmijët mbi 12 vjeç tashmë mund të vaksinohen, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Castex tha se një valë e pestë e pandemisë tani po përhapet në të gjithë vendin. Por ai thotë se me 52 milionë njerëz të vaksinuar tani, gati 90% e atyre që kualifikohen, situata është më e mirë se në shpërthimet e mëparshme dhe nuk ka nevojë për masa drastike.

Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, deklaroi se kombinimi i vaksinave përforcuese dhe distancimi social më rigoroz do t’i lejonte Francës të shmangte bllokimet që po vendosen aktualisht në disa vende evropiane.

“Ne duam ta kalojmë këtë valë të pandemisë pa kufizime të reja për të gjithë popullsinë franceze, pavarësisht nëse janë të vaksinuar apo jo”, tha ai.

Veran tha gjithashtu se Franca kishte identifikuar 25 raste pozitive të variantit Omicron, 21 të importuara nga njerëz që ktheheshin nga Afrika e Jugut dhe pjesa tjetër rezultat i infeksionit lokal.