Lajmet e fundit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur në një prononcim për Klan Kosova në prag të sfidës së nesërme, duke theksuar se morali brenda skuadrës është në nivelin më të lartë pas triumfit ndaj Irlandës.
Foda ka bërë të ditur se ekipi po e pret këtë duel me vetëbesim të plotë, teksa llogarit fuqishëm edhe në mbështetjen e madhe të tifozëve dardanë në shkallët e stadiumit.
Atmosfera pas fitores ndaj Irlandës është shumë e mirë. Ekipi ka fituar shumë vetëbesim dhe mezi po pret ndeshjen e nesërme. Sapo dëgjova se stadiumi do të jetë i mbushur plot dhe presim mbështetje të madhe nga tifozët kosovarë. Fusha është në gjendje të shkëlqyer. Shpresoj që nesër të vazhdojmë me paraqitjen që treguam kundër Irlandës dhe jam i bindur se skuadra do të luajë mirë“, ka deklaruar Foda për Klankosova.tv.
Tekniku i Kosovës ka kërkuar përqendrim maksimal në fazën mbrojtëse, duke vënë theksin te shfrytëzimi i çdo mundësie para portës kundërshtare, element që sipas tij duhet përmirësuar nga ndeshja e kaluar.
Duhet të mbrohemi po aq mirë sa ndaj Irlandës, të jemi kompaktë dhe agresivë pa top. Mangësia e vetme në ndeshjen e kaluar ishte se nuk i shfrytëzuam sa duhet rastet e shumta që krijuam. Nesër nuk do të kemi aq shumë mundësi për gol, prandaj ato që na paraqiten duhet t'i konkretizojmë me efikasitet maksimal.“
Duke analizuar kundërshtarin, Foda e vlerësoi lart përfaqësuesen e Austrisë, por theksoi se Kosova do të luajë me idetë e veta të qarta.
Austria është një skuadër shumë e mirë. Luajnë futboll me intensitet të lartë, ushtrojnë presion që në zonat e para të fushës dhe janë shumë të organizuar. Kanë cilësi individuale, por janë gjithashtu shumë të fortë në aspektin defensiv dhe luajnë si një ekip kompakt. Sigurisht do të jetë një sfidë e vështirë për ne. Megjithatë, më e rëndësishmja është se ne do të zbatojmë idetë dhe parimet tona në fushë, si me topin po ashtu edhe pa të.“
Në fund, trajneri foli edhe për gjendjen e sulmuesit Fisnik Asllani, duke konfirmuar gatishmërinë e tij për këtë përballje.
Fisniku ka përfunduar të gjitha seancat dhe është në dispozicion. Është e vërtetë që te Hoffenheim-i ka luajtur më pak minuta në javët e fundit. Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të luajmë nesër, nëse do të paraqitemi me një apo dy sulmues. Por jam i bindur se ai do të ketë mundësinë e tij në ndeshjet e ardhshme“, ka përfunduar Foda.