Lajmet e fundit

Një zjarr që përfshiu një pjesë të kodrës në zonën malore të fshatit Belinc në Shtime ka rrezikuar shtëpitë dhe pronat e banorëve, por ndërhyrja e shpejtë e policisë dhe zjarrfikësve ka parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, zyrtarët e Stacionit Policor në Shtime kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informatës për zjarrin dhe kanë dalë në terren.
Policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë kanë vepruar në koordinim të vazhdueshëm me njësitë e zjarrfikësve, duke kontribuar në menaxhimin e situatës, sigurimin e zonës dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës.
“Reagimi i shpejtë, koordinimi ndërinstitucional dhe angazhimi profesional i policisë dhe zjarrfikësve kanë ndihmuar në përballimin e situatës dhe shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.
Sipas policisë, zjarri paraqiste rrezik për përhapje të mëtejshme, veçanërisht për shkak të afërsisë me shtëpitë dhe pronat e banorëve të lagjes.
Falë ndërhyrjes së ekipeve në terren, është parandaluar përhapja e zjarrit drejt zonave të banuara.
“Policia mbetet e përkushtuar që, në çdo situatë emergjente, të jetë pranë qytetarëve dhe të veprojë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim”, thuhet më tej në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka theksuar se angazhimi në situata të tilla synon mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të pronës, përmes reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse.